close
Vendi

MBAJTJA E MASKËS – E DETYRUESHME

8BA043FE-AD56-482B-997F-77AAFB7EB155

Mbajtja e mbrojtjes në fytyrë bëhet e obligueshme për qytetarët me ndryshimet e reja të Ligjit për mbrojtje të popullatës nga sëmundjet ngjitëse,  që mbrëmë i miratoi Kuvendi. Kjo masë do të vlejë për lëvizje në vendet publike  dhe sipërfaqet  e llojit të hapur dhe të mbyllur, në tregje, në transport publik dhe gjatë hyrjes në hapësira të mbyllura si institucionet shtetërore, marketet, dyqanet, bankat, postat, korridoret, institucionet shëndetësore etj, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.

Qytetarët, siç thuhet, do të duhet të mbajnë maskë respiratore, maskë kirurgjike për përdorim të njëfishtë, maskë të tekstilit e ripërdorshme, shall të mëndafshtë, shall nga pambuku dhe ngjashëm.

Masa nuk do të vlejë gjatë aktiviteteve sportive në hapësirë të hapur ose në vend të mbyllur me respektim të protokolleve  specifike për mbrojtje, gjatë vozitjes  në automjet privat nëse shoferi është vetë ose  me persona me të cilët  së bashku jeton,  gjatë qëndrimit në oborr të shtëpisë familjare, ose në një objekt hotelerik  me respektimin e protokolleve për mbrojtje. Masat për mbajtje të maskës nuk vlejnë për personat më të vegjël se gjashtë vjet  dhe personat me nevoja të veçanta dhe  me pengesa në zhvillim.

Për mosmbajtje të maskës në vend të hapur është parashikuar gjobë prej 20 eurove, informojnë nga Ministria dhe apelojnë që qytetarët t’i respektojnë  masat për mbrojtje nga COVID-19. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia