close

MBËSHTETJE NORVEGJEZE PËR ZONËN EKONOMIKE NË TETOVË

Soreide: Investim më i madh e më i rëndësishëm norvegjez në Maqedoninë e Veriut


Delegacioni i Ministrisë së Jashtme të Norvegjisë i kryesuar nga Ministrja e Jashtme Ine Eriksen Soreide ka vizituar Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë, që është investimi më i madh dhe më i rëndësishëm norvegjez në Maqedoninë e Veriut. Rregullimi i çështjeve infrastrukturore nga ana e qeverisë së Maqedonisë së Veriut  dhe impakti ekonomik i kësaj zone ishin temë diskutimi me drejtuesit e kësaj zone.

Impakti ekonomik, zbutja e papunësisë dhe zhvillimi rajonal ishin temë e diskutimit në takimin e sotëm të Shefes së Diplomacisë së Norvegjisë Ine Eriksen Soreide me drejtuesit e Zonës Ekonomike në Tetovë. Siç u tha,  e veçanta e kësaj zone është se kemi të bëjmë me investitorë privat, gjë që, i bën këto investime të qëndrueshme.

“Është kënaqësi për mua që të vizitoj këtë zonë që është vendi ku ështëë bërë investimi më i madh dhe më i rëndësishëm norvegjez në rajonin e RMV-së. Kemi disa çështje të cilat duhet t’i zgjedhim me autoritetet dhe jam e bindur se do t’i zgjedhim në periudhën që vjen. Edhe ne gjithashtu jemi në proces dialogu me autoritetet sepse ne mendojmë se është e rëndësishme që mund të bëjmë gjithçka që mundemi dhe gjithashtu e dimë se për autoritetet është e rëndësishme të krijojnë vende të reja të punës siç e pamë këtu.”- deklaroi Ine Eriksen Soreide- Ministre e Jashtme e Norvegjisë.

Zona e Lirë Ekonomike e Tetovës është punëdhënësi më i madh në rajonin e Pollogut . Drejtuesit e Kompanisë NORMAK që menaxhon me Zonën e Lirë Ekonomike në Tetovë falënderuan mbështetjen norvegjeze duke premtuar rritjen e punësimeve.

“Kemi nderin të kemi për vizitë Ministren e Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë Ine Eriksen Soreide me stafin e saj, ku biseduam për rëndësinë e këtij investimi, që është një prej investimeve më të rëndësishme norvegjeze në RMV. Tashmë kjo zonë është punëdhënësi më i madh në Rajonin e Pollogut me 1500 të punësuar për momentin , ku besojmë se deri në fund të vitit do të arrijë deri në 2000 të punësuar. Vazhdojmë investimet edhe në të ardhmen, pikërisht për implikimin, impaktin që do të kenë investimet në të ardhmen për uljen e papunësisë në këtë rajon. Shfrytëzoj rastin t`i falënderohem Ministres Soreide për vizitën dhe mbështetjen e Qeverisë së Norvegjisë gjatë gjithë kësaj rruge, besoj dhe shpresoj që kjo mbështetje nuk do të mungojë edhe në të ardhmen.” –shprehet Aki Etemi, Drejtor i bordit të “Nomak”.

Me gjithë angazhimin për sigurimin e kushteve të volitshme për investitorët në këtë zonë ekonomike, megjithatë ende ka nevojë për mbështetje nga ana e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Në këtë aspekt u përmend lidhja infrastrukturore e kësaj zone, vecanërisht me autostradën Shkup-Tetovë.

“Kemi ambicie të mëdha për të ardhmen por çështja jonë kërkon lidhje më të mirë të autostradës që të ofrojmë logjistikë më të mirë për klientët tonë. Qëllimi afatgjatë është që të punësojmë 8 mijë persona, dhe kjo kërkon përpjekje më të madhe nga qeveria e RMV-së sidomos në çështjen e autostradës.”– vlerëson Besim Zekiri -Anëtar i bordit të “Nomak”.

Ndihma e përgjithshme norvegjeze për vendin, kap shifrën e disa milionë Eurove.  Sektorët me prioritet të programit të ndihmës dypalëshe norvegjeze, që vendosen në dispozicion dhe menaxhim nga Ministria e punëve të jashtme të Norvegjisë, janë, Qeverisja e mirëfilltë, Energjia, mjedisi jetësor dhe ndryshimet klimatike, Rritja e shkallës së punësimit e të ngjashme. /Klan Maqedoni/

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!