close
Rajoni

MBI 30 MIJË KOSOVARË KALUAN FUNDJAVËN NË SHQIPËRI

E92A98E9-0801-4D57-B909-E030E8B699F6

Pandemia nuk ka ndikuar në uljen e numrit të qytetarëve të Kosovës që vendosin ta kalojnë fundjavën në Shqipëri, njofton portali Monitor. Nga e premtja, deri të dielën llogaritet mbi 32 mijë shtetas të Kosovës kanë hyrë në  këtë vend, ndërkohë që Qeveria e Kosovës vendosi masat anti-COVID për 12 ditë.

Pavarësisht gjithë situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, qytetarët e Kosovës nuk i pengoi asgjë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, e disa prej tyre edhe drejt Malit të Zi.

Mbi 32 mijë qytetarë nga Kosova e kanë kaluar fundjavën në Shqipëri. Shifra është bërë e ditur nga ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.

“32 mijë e 163 shtetas të Kosovës kanë shkuar në Shqipëri këtë fundjavë, 5 mijë prej tyre vetëm ditën e sotme”, ka thënë ai.

Turistët nga Kosova fundjavën që lamë pas mbërritën deri në skajin më jugor të Shqipërisë, në Sarandë, duke u cilësuar si të parët që shkuan për pushime disa ditore. Kryetari i Bashkisë së Sarandës Ardian Gurma, në një deklarim për media ka thënë se janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për të pritur turistët nga Kosova: “Shpresojmë se edhe situata me pandeminë do të tejkalohet. I kemi ndërmarrë të gjitha masat që duhet. Kemi ndërhyrë ne infrastrukturë,”- ka deklaruar Gurma duke u bërë thirrje turistëve nga Kosova që të vizitojnë Sarandën.

Shqipëria ka varur shpresat nga Kosova edhe për këtë sezon turistik, i dyti në kohë pandemie. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në takime që ka zhvilluar me operatorë turistikë në vend, ka pohuar se qeveria e drejtuar prej tij ka mësuar nga sezoni i kaluar, dhe ka premtuar se kësaj radhe kufiri me Kosovën do të jetë absolutisht i hapur për mikpritjen e turistëve si dhe operatorët turistikë do të kenë sa më pak shtrëngesa.

Rama ka deklaruar gjithashtu se turizmi në Shqipëri si sektori më i rrezikuar nga pandemia ia doli mbanë falë Kosovës. Ndërkohë që u ka tërhequr vëmendjen operatorëve turistikë se hotelet ishin plot, megjithëse ato nuk i ulen çmimet: “Unë isha me një operator turistik dhe jashtë kamerave më konfirmoi atë që di në fakt, që sezoni i kaluar nuk ishte me humbje. Ndërkohë që pandemia ishte realisht e frikshme për sektorin, por lëvizja që ne bëmë duke mos e mbyllur kufirin me Kosovën dhe fakti që shqiptarët në Shqipëri nuk mundën të ikin jashtë, bëri që hotelet të jenë plot. Unë nuk besoj se, kur i keni marrë paratë, nuk u janë dukur më pak se po jua japin shqiptarët e Kosovës dhe Shqipërisë, se nuk është se i ulët çmimet. Ky sezon ka qenë një provë domethënëse e faktit, sesa shumë para shpenzohen nga shqiptarët e Shqipërisë për turizëm dhe përgjithësisht shkojnë jashtë,” – ka deklaruar Rama.

Numri i qytetarëve nga Kosova që kanë vizituar Shqipërinë për vitin 2020 është 1.379.360 persona. Megjithëse me një rënie prej 38.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve të saj në Shqipëri për vitin 2020 që llogaritet më e ulëta krahasuar me vendet e tjera të rajonit e Evropës. Në tremujorin e katërt të vitit 2020 numri i qytetarëve nga Kosova që vizituan Shqipërinë ka qenë 519.435 persona, nga 407.760 persona që e kishin vizituar në tremujorin e katërt të vitit 2019, duke shënuar një rritje prej 27.4%./Klan Macedonia&Monitor/

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia