Kancelarja gjermane Angela Merkel është prononcuar negativisht ndaj dëshirës së Komisionit Evropian për t`i dhënë datë të shpejtë për negociata Maqedonisë së Veriut – shkruan Dojche Vele duke u thirrur në gazetën gjermane “Zidojche Cajtung”.
Duke u thirrur në burime të saja të paemëruara, gazeta gjermane “Zidojche Cajtung” shkruan sot se në Seancën e Komisionit për Politikë Evropiane të Bundestagut, kancelarja gjermane Angela Merkel, qartë e ka bërë të ditur se vendimi për datën e negociatave të Maqedonisë së Veriut për kyçje në BE, ka mundësi të merret më së voni në tetor.
“Me këtë, kancelarja qartazi u vu përballë partnerit të saj të koalicionit – SPD, që angazhohet për votim në Këshillin Evropian më 18 qershor. Mihael Rot nga SPD në Komisionin për Politikë Evropiane, të martën, në mënyrë kategorike është angazhuar për fillimin e negociatave, por nuk ka hasur në “veshë të hapur” tek CDU-ja dhe CSU-ja. Maqedonia është dakorduar me Greqinë për ndryshimin e emrit, mes tjerash, për ta hapur rrugën për negociata për aderim në BE”. – shkruan gazeta “Zidojche Cajtung”.
Eurointegrimet e Maqedonisë së Veriut dje shkaktuan debate të ashpra në seancën plenare të Bundestagut, që në fakt, iu kushtua ratifikimit të Protokollit për anëtarësim në NATO. Deputetët me shumicë votash u prononcuan për pranimin e Maqedonisë së Veriut në Aleancë, por në debate u përplasën rreth datës për negociata për BE.
“Dyshimet janë se Zyra e Kancelares Merkel dhe CDU-ja dëshirojnë ta anulojnë debatin në këtë temë, derisa Demokracia e Re në Greqi, nuk e merr pushtetin, për ta bllokuar Maqedoninë e Veriut në BE” – ka deklaruar deputeti i të gjelbërve opozitar Jirgen Tritin, duke rikujtuar se Komisioni Evropian ka dhënë një rekomandim të qartë për fillimin e negociatave. Duke kritikuar një politikë të këtillë, Tritin ka shtruar pyetjen nëse dikush dëshiron që Maqedonia e Veriut të hyjë vetëm në NATO, por jo edhe në BE dhe nëse qytetarët e saj duhet të trajtohen si “evropianë të dorës së dytë’.
Deputetit të të gjelbërve Jirgen Tritin, i është përgjigjur ai i CDU-së, Kristijan Shmid i cili ka vlerësuar se qëndrimet e Tritinit nuk kanë lidhje me realitetin, duke shtuar se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në NATO, është punë e kryer, pa marrë parasysh kush do ta ketë pushtetin në Greqi. Sipas Deputetit Shmid, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet që në një pako t’i fillojnë negociatat, por ai ka potencuar se Shqipëria për momentin ballafaqohet me probleme të caktuara, për çka duhet më tepër kohë të studiohet Raporti i Komisionit Evropian. /Klan Maqedoni/