close

MERKEL-ZAEV: DATA E NEGOCIATAVE NË SHTATOR

Premtime se Bundestagu në shtator do të jep dritë jeshile për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe urime për rezultatet e arritura të Qeverisë. Këto janë mesazhet që Kryeministri Zoran Zaev, sipas delegacionit të Maqedonisë së Veriut, sot i ka marrë nga kancelarja gjermane Angela Merkel në takimin e Berlinit.

Nga Qeveria e Maqedonisë thonë se janë të kënaqur me atë që kanë dëgjuar nga Kancelarja Merkel në këtë takim. Në komunikatën zyrtare të Qeverisë thuhet se shtatori mbetet muaji kur Bundestagu do të debatojë dhe me siguri, do ta miratojë fillimin e negociatave.

“Kryeministri Zaev në takim ka theksuar se Republika e Maqedonisë së Veriut ka besim të plotë në kancelaren gjermane Merkel dhe përkrah politikën e saj për procesin e zgjerimit të BE-së, si dhe politikën e saj ndaj Ballkanit Perëndimor.”-shprehet Qeveria e RMV-së.

Konfirmim për këtë paralajmërim paraprakisht kishte arritur edhe nga Deputeti i CDU-së në Bundestagun gjerman Johan Vadefull i cili në një deklaratë për Frankfurter Allgemajne Cajtung ka theksuar se në shtator do të miratohet fillimi i negociatave.

Komunikatë ka lëshuar edhe Kabineti i kancelares gjermane Merkel, por në të nuk ka asnjë fjalë për perspektivat evropiane të vendit. Për këtë takim njoftohet përveç marrëdhënieve dypalëshe është biseduar edhe për çështje evropiane dhe të jashtme politike.

Tash për tash nuk ka asnjë informatë nëse është ndryshuar qëndrimi i Kryeministrit Zaev se nëse nuk merret data e negociatave në qershor, ai do ta kthejë mandatin. Pritet që për këtë të prononcohet vetë Kryeministri, pas kthimit nga Berlini. Por, nga komunikata qeveritare mund të vërehet se Kryeministri Zaev me siguri se e ka pranuar si realitet anulimin e debatit në Bundestag.

“Gëzon fakti që Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka qëndrim pozitiv për vendin lidhur me fillimin e negociatave dhe se duhet të respektohen procedurat dhe proceset demokratike që do të mundësojnë që Bundestagu të merr vendim pozitiv në shtator.” –theksohet në komunikatën e Qeverisë së RMV-së.

Jemi të bindur se Maqedonia e Veriut do t’i fillojë negociatat me BE-në këtë vit-ka shkruar Kryeministri Zaev në Facebook duke shtuar se kancelarja gjermane Merkel i ka informuar se Bundestagu do të miratojë vendimin për hapjen e negociatave në shtator, konform procedurave të Gjermanisë për zgjerimin e BE-së. /Klan Maqedonia/