Meta: Nga 25 Korriku do të bëj më shumë edhe për Kosovën

Presidenti Ilir Meta ndodhet në Prishtinë në kuadër të një vizite zyrtare, e fundit në postin e kreut të shtetit. Ai zhvilloi një konferencë për shtyp me homologen Vjosa Osmani, të cilës nuk i pranoi asnjë falenderim për mbështetjen për Kosovën, pasi siç tha, ka bërë vetëm detyrën kushtetuese dhe morale si qytetar i Shqipërisë. I vetmi peng i tij është që nuk ka bërë edhe më shumë për përkrahjen ndaj Kosovës, kjo edhe për shkak të problemeve të brendshme në Shqipëri. Megjithatë dha fjalën se nga 25 Korriku, një ditë pasi lë detyrën si President, do të bëjë më shumë edhe për Kosovën në angazhimet që do të marrë.

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 1180x200

 

“Nuk pranoj asnjë falenderim për arsye sepse kam bërë detyrën kushtetuese, por edhe morale siç e ka dhe çdo qytetar i Shqipërisë. E vetmja keqardhje që kam është që mund të kisha bërë edhe më shumë në përkrahjen e Kosovës bëse do të kisha më pak probleme të brendshme në vendin tim gjatë këtyre 5 viteve. Por ju jap fjalën se nga dita e hënë, me 25 (Korrik) në mëngjes, do të bëj shumë herë më për edhe për Kosovën. Ajo që dua t’ju falendeoj është për bashkëpunimin e shkëlqyer që kemi patur me ju dhe me gjithë institucionet e Kosovës dhe që do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Jam i bindur se edhe presidenti i zgjedhur i Shqipërisë do të vazhdojë këtë traditë shumë pozitive. Është e rëndësishme ta theksojmë këtë vendimin e Gjykatës ndërkombëtare të Drejtësisë, sepse përveçse çimentoi pavarësinë e Kosovës dhe rrugën e lirisë në të cilën hyri Kosova në vitin ’99 duke ardhur dje për në Prishtinë po mendoja ato 4 javët e para të situatës në Kukës”.

Meta tha se është në interesin e popujve të rajonit që edhe Kosova të jetë në NATO. Po ashtu, theksoi se për të personalisht nuk kanë pasur rëndësi asnjëherë se me cilin politikan nga Kosova takohet dhe raportet që ka pasur me të, por ka pasur gjithnjë rëndësi Kosova.

“Nuk ka një komb tjetër në këtë rajon që ka përfituar më shumë nga rënia e murit të Berlinit dhe perdes së hekurt se sa kombi ynë. Para ’90 si kanë qenë shqiptarët në Shqipëri, një vend ku për fat të keq mohohej dhe besimi tek zoti dhe se si kanë qenë shqiptarët në ish-Jugosllavinë, më të diskriminuarit dhe më të shtypurit. Është interesi ynë dhe i të gjithë popujve të rajonit që të forcojmë paqen dhe stabilitetin në rajon. Të kemi sa më shumë NATO në rajon, dhe Kosovën ta kemi në këtë aleancë të madhe të sigurisë dhe lirisë dhe të gjithë popujve që duan paqe e prosperitet. Të mos bien viktimë të atyre që duan të minojnë për llogari të aktorëve të tretë këtë rrugë.

 Për mua nuk ka patur dhe nuk ka rëndësi asnjëherë në radhë të parë se me kë takohem nga Kosova, ka pasur gjithmonë rëndësi Kosova, pavarësisht në raportet e mia personale në të kaluarën, sot dhe në të ardhmen. Do i qëndroj gjithmonë këtij angazhimi si një detyrim që ka çdo shqiptar i ndershëm patriot për ato sakrifica  që ka pësuar historikisht populli i Kosovës për të shpëtuar kombin tonë, për pavarësinë e Shqipërisë. Çdo ndihmë e jona për Kosovën është një detyrim që nuk ka nevojë për asnjë falenderim”, u shpreh Meta.

Kujtojmë që ceremonia e kalimit të detyrës nga Ilir Meta tek Bajram Begaj do të zhvillohet të dielën në orën 18:00 në Parlamentin e Shqipërisë. Pas leximit të formulës së betimit, zoti Begaj do të betohet para deputetëve të Kuvendit dhe do të mbajë një fjalë përshëndetëse.

Ceremonia e dytë do të zhvillohet në ambientet e Presidencës. Ajo është parashikuar të zhvillohet në orën 19:30. Në këtë ceremoni bëhet dorëzimi i detyrës nga presidenti aktual, Ilir Meta, tek Presidenti i ri, Bajram Begaj./tvklan.al

PROGRAM I PAGUAR POLITIKË 300x250
Lexo gjithashtu
Total
0
Share