close

MICKOSKI: DATA PËR NEGOCIATA NA JEPET NË VJESHTË

Hristijan Mickoski, lider i VMRO-DPMNE-së, forcës kryesore opozitare në Maqedoninë e Veriut, ka përsëritur akuzat në adresë të koalicionit qeverisës për dështim si në planin e brendshëm, ashtu dhe atë të jashtëm. Duke folur në emisionin Klan Debat të Seladin Xhezairit, Mickoski tha se Qeveria Zaev nuk ka arritje në planin ekonomiko-social e as të çuarjes përpara të reformave, ndërkohë që për Marrëveshjen e Prespës me Greqinë, që çoi në zhbllokimin e procesit euro-atlantik të vendit, u shpreh se ajo ishte kapitulluese dhe në dëm të qenies kombëtare maqedonase. Megjithatë i pyetur se, hipotetikisht, çfarë qëndrimi do të mbajë VMRO-DPMNE-ja ndaj këtj dokumenti nëse fiton nesër në zgjedhjet e radhës, Mickoski dha një përgjigje të matur:

“Po, ka mundësi të reterojmë nga ky dëm dhe dinjiteti i shkatërruar kombëtar, por me dy kushte: Sipas Kushtetutës dhe ligjeve, ose të kemi shumicën e dy të tretave përkatësisht 80 deputetë dhe të kemi të plotësuar kriterin e Badinterit,’- tha kreu i VMRO-DPMNE-së duke pranuar se për çdo eventualitet llogarit edhe në qëndrimin e deputetëve jomaqedonas që në rastin konkret do ta zhbënin përpjekjen për rinegociim të këtij traktati. Në këtë vijë, ai shpjegoi se edhe sa i përket ligjit të debatueshëm për zyrtarizimin e gjuhës shqipe, do të respektojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese që aktualisht nuk dihet se kur do të mund ta marrë çështjen në shqyrtim.

Duke komentuar zvarritjen e dhënies së datës për çeljen e negociatave për aderim në Bashkimin Evropian, i pari i VMRO-DPMNE-së, me gjithë skepticizmin e përsëritur gjatë emisionit, pranoi se pret që dilema të zgjidhet në vjeshtë:

Unë pres se Maqedonia do të marrë datën për çeljen e negociatave’- deklaroi Mickoski duke lënë të kuptohet se për kapërcimin e mospajtimeve me Qeverinë lidhur statusin e Gjykatës Speciale Publike bisedimet vazhdojnë, por se për momentin nuk ka ndonjë përparim që do të shpiente drejt arritjes së një zgjidhjeje kompromise për projektligjin e Prokurorisë Publike të vendit.

Lideri i opozitës maqedonase në Klan Debat ka komentuar edhe zhvillimet e fundit në rajon, përfshirë këtu edhe përplasjet në Shqipëri. Parashikon një verë të nxehtë politike:

Sinqerisht pres një verë të nxehtë politike. E dimë se për më 30 qershor janë cqaktuar zgjedhjet lokale në Shqipëri dhe këto po problematizohen. Po shikojmë se Presidenti Ilir Meta u kanos se do ta nxjerrë ushtrinë në rrugë nëse vazhdon procesi i mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Janë serioze mospajtimet mes opozitës dhe Qeverisë në Shqipëri, në mes të zotit Basha dhe zotit Edi Rama,’ – vlerësoi Mickoski. Ndërkaq, sa u përket zhillimeve të pritshme në vijën Prishtinë-Beograd ai u shpreh se do të ishte e pashembullt të përzihet në punën e tyre dhe çfarëdo marrëveshje duhet të përqëndrohet në interesat e tyre fqinjësore. /Klan Maqedoni/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!