close

MIGRIMET, SHQETËSIMI KRYESOR PËR FAMILJET

Shënohet dita ndërkombëtare e familjes


Migracionet, varfëria e fëmijëve, ndryshimet klimatike, ishin temat kryesore në fokus të shënimit të ditës botërore të familjes, rreth 30% e fëmijeve në vend jetojnë në varfëri, ndërsa prindërit gjithnjë e më shpesh vendosin të largohen së bashku me fëmijët duke kërkuar ekzistencë. Benxhamin Perks nga UNICEF-it thotë se duhet të jemi të sigurtë se Maqedonia është vend i mirë për të jetuar dhe gjeneratat e ardhshme të ardhmen ta shohin këtu në Maqedoni.

Gjithnjë e më shumë në Maqedoni po shfaqen pamje se si prindër të rinj me një ose dy fëmijë largohen nga vendi , të ngarkuar me probleme të rënda ekzistenciale për të cilat institucionet heshtin, me paga të ulëta, shpenzime të mëdha, standard jetese jocilësore. Pikërisht migracionet janë temë e shënimit të ditës botërore të familjes, për çka përfaqësuesi i UNICEF-it Benxhamin Perks deklaron:

“Duhet të jemi të sigurtë se Shkupi, Manastiri ose Gjevgjelia ose të themi të gjithë qytetet dhe fshatrat në vend janë vende të mira për të jetuar, që këta njerëz të mbeten këtu, jo të largohen, këtë mund ta bëjmë si shoqëri nëse e kemi bindjen dhe vullnetin politik.” –shprehet Benxhamin Perks, Përfaqësues i UNICEF-it.

Lidhur  me ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e shëndoshë dhe kualitativ të fëmijëve, por edhe të rriturve, sidomos ndotjen e ajrit, Perks është kategorik –se ekzistojnë probleme të shumta  në qytetet e mëdha me ndotjen e ajrit.

“Kjo ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillim  e fëmijëve, në shëndetin e tyre psiqik, dhe në cilësinë e jetës, që janë shumë të rëndësishme si për fëmijët ashtu edhe për familjet.”-deklaron Benxhamin Perks.

Fëmijët braktisin familjet por edhe implikohen në dukuri tjera socio-patologjike, për shkak të rritjes së faktorëve të rrezikut, midis të cilave edhe papunësia e prindërve, alarmojnë nga SOS- fshati I fëmijëve.

“Ekzistojnë rreziqe të ndryshme si anashkalimi, dhuna, vetë varfëria bën që fëmijët të mos kenë mbështetje. Papunësia e prindërve gjithashtu.” – tha Mario Jançev, Drejtor SOS “Fshati i fëmijëve”.

Të dhënat tregojnë se në Maqedoni rreth 30% e fëmijëve jetojnë në varfëri, ndërsa kategoritë më të goditura janë të pastrehët, personat me aftësi të kufizuara, të rinj dhe më të vjetër, si dhe gratë dhe vajzat që u cënohen të drejtat e tyre. /Verica Dimitrijevska/