Agjentët federalë arrestuan rreth 700 emigrantë pa dokumente, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nga Amerika Latine, gjatë një operacioni në fabrikat e përpunimit të ushqimit në Misisipi, që u vlerësua si më i madhi i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara në 10 vjet. Të dyshuarit u vendosën në qendra paraburgimi në gjashtë qytete të ndryshme të Misisipit.
Operacioni u shoqërua me protesta nga të afërmit dhe miqtë e emigrantëve të arrestuar, që kërkonin lirimin e tyre.Zyrtarët e agjencisë së Emigracionit dhe Doganave thanë se emigrantët u dërguan në një bazë ushtarake për t’iu nënshtruar një procesi verifikimi. Disave prej tyre iu vendosën vëzhgues elektronikë në kyçit e këmbës, në pritje të caktimit të një date për procesin gjyqësor. /Agjencitë/