Kyriakos Mitsotakis është betuar si kryeministri i ri i vendit dhe nesër pritet të shpallë qeverinë e tij
Rezultatet përfundimtare të votave që u shpallën mesditën e të hënës, kanë konfirmuar fitoren bindëse të konservatorëve që rikthehen në pushtet pas katër vitesh e gjysmë.
Demokracia e re ka fituar 39,85% të votave dhe merr 158 vende në parlament, ndërsa Syriza e Aleksis Tsiprasit, 31,5% dhe 86 vende.
Duke dalë nga pallati presidencial, pas kryerjes së betimit, Mitsotakis deklaroi se populli i dha partisë së tij një mandat të fuqishëm për të ndryshuar Greqinë.
“Nga sot fillojmë punën fort. Kam besim të plotë në kapacitetet tona që të qëndrojmë në lartësinë e detyrës”, shtoi kryeministri i ri grek.
Qeveria e kryesuar nga Kyriakos Mitsotakis do të betohet të martën. Mirëpo përbërja e saj ende nuk është shpallur.
Konsiderohet e sigurt që do të jetë një kabinet me më pak ministra nga ajo paraardhësja dhe do të funksionojë me modelin e kancelarisë gjermane.
Media pranë Demokracisë së Re kanë publikuar emrat e parë, duke theksuar se vendimi përfundimtar do të merret nga zoti Mitsotakis deri paraditen e të martës.
Në postin e ministrit të jashtëm flitet se do të emërohet Nikos Dendias, që ka mbajtur disa poste ministrore në qeverinë e mëparshme të demokratëve.
Po nuk përjashtohet edhe zëdhënësi i deritanishëm i komisionit europian, Margaritis Schinias.
Surpriza më e madhe, nëse vërtetohet, do të jetë në ministrinë e rendit. Aty thuhet se do të vendoset Mihalis Hrisohoidis, që për dekada ka qenë një nga figurat qendrore të PASOK-ut dhe muajt e fundit u tërhoq nga jeta aktive politike. /Robert Goro, Athinë/