close
federica_mogherini_credit_eu_commission

‘Prespa’ shembull për dialogun Beograd-Prishtinë


Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, ka deklaruar në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, se për vazhdimin e dialogut Beograd-Prishtinë është e nevojshme heqja e taksës të vendosur nga Qeveria e Kosovës. Ajo ka nënvizuar se Marrëveshja e Prespës e arritur mes Maqedonisë dhe Greqisë duhet të merret si model edhe për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë. Këto komente Mogherini i ka bërë në një fjalim mbi rolin dhe prioritetet e politikës së jashtme të BE-së.

Duke folur në Kombet e Bashkuara për domosdoshmërinë e bashkëpunimit global dhe të respektimit të rregullave të sistemeve ndërkombëtare, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka theksuar si shembull Marrëveshjen e Prespës të arritur mes Maqedonisë e Greqisë që u dha fund mosmarrëveshjeve prej një çerekshekulli lidhur me emrin.

‘Kur flasim për Ballkanin, më lejoni të theksoj se sivjet ishim dëshmitar të një arritjeje historike në këtë rajon. Marrëveshja e Prespës është edhe një shembull pozitiv i bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe është një shembull i rëndësishëm për lidershipin politik të të dyja vendeve, Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë,’ – tha Mogherini duke nënvizuar se kompromisi mes Athinës e Shkupit zyrtar duhet të shërbej si model edhe për vazhdimin e dialogut mes Prishtinës e Beogradit, por duke përmendur si parakusht – heqjen e taksave për mallrat nga Serbia të vedosura nga Qeveria e Kosovës:

‘Për vazhdimin e plotë të bisedimeve duhet të hiqen taksat e vendosura nga Qeveria e Kosovës. Ditën kur do të hiqen tarifat unë do të thërras menjëherë një takim të ri në kuadër të dialogut për të arritur një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme që ka për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe për të normalizuar plotësisht marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës,‘- ka paralajmëruar në Nju – Jork shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian. Sipas saj, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por edhe të marrë mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për shkak se roli i tij për këtë çështje, ka përfunduar Mogherini, do të jetë vendimtar.  /Biljana Georgievska/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia