close

“MONSTRA”: MË 5 SHTATOR PUBLIKIMI I “BOMBAVE”

Kryeministri Zaev do të ftohet si dëshmitar


Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Monstra” është vendosur që prej më 5 shtator në seancë të fillojë publikimi i “bombave”, gjegjësisht 38 mijë materialeve të përgjuara dhe sms-porosive lidhur me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës. Prokurorja Fatime Fetai paralajmëroi se si dëshmitar për këtë rast do të ftohet edhe Kryeministri Zaev.

Prokurorja Fatime Fetai njoftoi se në seancën e 5 shtatorit do tëprezantohen të gjitha materialet që i ka dorëzuar LSDM-ja.

“Në seancë do të prezantohen të gjitha materialet që i ka dorëzuar LSDM, por do t’i prezantojmë edhe bisedat që mua personalisht mi kanë dërguar”, sqaroi prokurorja Fatime Fetai. Prokuroria Speciale ka në duar 38.000 “bomba”, gjegjësisht biseda telefonike dhe sms-porosi në lidhje me këtë rast.

Gjatë seancës i akuzuari Fejzi Aziri i është ankuar gjykatësit Ognen Stavrev se ka pasur kërcënime me jetë nga ana e policit i cili e ka sjellë nga burgu i Shtipit deri në Gjykatën Penale. Aziri gjithashtu ka kërkuar që të vendoset në ndonjë burg në Shkup, sepse nuk ka mundur më tej të përballoj udhëtimin nga qytetet e tjera.

 “Kam kërcënime me jetë nga polici i cili më sjell në Gjykatë. Thotë se do të na shkrep nga një plumb në kokë dhe të përfundoj me të gjithë ne. Prangat gjithashtu mi vendosin nga prapa, ndërsa unë jam i sëmurë dhe nuk mund ta përballoj këtë”, tha Aziri.

Pas paralajmërimit të gjykatësit Ognen Stavrev, se do të dëgjohen “bombat”, njëri prej prindërve të djelmoshave të vrarë, kërkoi sqarim nëse tani, sic ka thënë, do të dëgjohen bisedat e “arushave të mbrojtura”, respektivisht të atyre bisedave që ishin shpallur si sekret shtetëror nga ana Prokurorisë së rregullt. Atëherë ai është thirrur në premtimin e kryeministrit Zaev, se prindërit do t’i mësojnë se të kujt janë numrat fshehur. Me këtë rast, Prokurorja Fetai ka theksuar se në gjykatë, në cilësinë e dëshmitarit do të ftohet edhe Kryeministri Zaev. /Klan Macedoni/