close

MUSHKONJAT “TERRORIZOJNË” DURRËSIN

Ashtu sikur në Shëngjin, Divjakë edhe në Durrës mushkonjat po shqetësojnë pushuesit. Dezinsektimi nuk është bërë dhe nuk dihen arsyet pse ky bregdet është lënë në këtë situatë.

Thirrjet për urgjencë këto ditë në Durrës të Shqipërisë nuk janë të zakonshme. Ambulancat nxitojnë të marrin të infektuarit nga pickimet e mushkonjave. Në qendrat shëndetësore verore rastet janë të shumta.

“Rastet kanë qenë tepër të shpeshta si me pickime nga peshqit ashtu edhe nga insektet”.

Muaji Korrik përkon me mbipopullimin e plazheve nga turistët, por edhe me çeljen e larvave te insekteve. Dezinsektimi nuk është bërë plotësisht. Në Durrës vetëm në një pjese të anës së detit, kurse në pjesë të tjera të plazhit ende jo.

“Ka një grafik nga Bashkia e Durrësit që ndiqet rregullisht për deinsektimin për mushkonja dhe për miza dhe për brejtës. Për dezinfektimin e rërës bëhet në fund të Majit që është me program”, tha Alfred Dhuli drejtori i Komunales Plazh.

Kjo situatë po i shqetëson pushuesit. Ata thonë se janë të padurueshme dhe se si në këtë sezon ka vite që nuk ka patur kaq shumë mushkonja. Por në Durrës, situata nuk është e rëndë vetëm në bregdet. Në qendrat e banuara veç mushkonjave kanë dalë dhe minjtë.

“Mushkonjat tek e fundit kanë dalë gjithandej dhe nuk është ky problemi kryesor. Problemi kryesor janë ato minjtë që aty është një skandal i madh”, tha një pushues.

“Nuk kanë marrë masa fare. Për ato jemi të shqetësuar për arsye të fëmijëve”, tha një tjetër.

Instituti i Shëndetit Publik, ende nuk ka vepruar sipas planit të ndërhyrjes që bëhet çdo vit jo vetëm në zonat e plazhit të Shqipërisë. Informacioni për kohën se kur do të ndodhë, i mungon edhe vendorëve.

“Për sa i përket Ministrisë së Shëndetësisë nuk kam informacion për çfarë kanë bërë ata”, tha Alfred Dhuli.

ABC News përmes kronikave të ditëve të fundit ka paraqitur dëmet nga insektet në Shëngjin, Divjakë, tashmë dhe në Durrës. I pyetur nga ABC News gjatë bashkëbisedimit që pati këtë të premte me gazetarë,  Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë Ogerta Manastirliu nuk pranoj të komentojë situatën e krijuar si mungesë e dezinsektimit në zonat bregdetare. Ajo tha se për këtë problem duhet t’i drejtohemi ISHP-së./ABC News Albania 24/7

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!