Lakers larg zonës së play off-it
Në kampionatin amerikan të basketbollit vazhdojnë përpjekjet e fundit të skuadrave për të siguruar pjesëmarrje në pjesën e fundit të kampionatit në play off. Tanimë lirisht mund të thuhet se Golden State, Denver, Oklahoma, Portland, Houston, Utah Jazz, Los Angeles Clippers dhe San Antonio janë shumë pranë play offit në Konferencën e Perëndimit.
Këtë e dëshmuan edhe rezultate që u arritën gjatë ditës së sotme ku skuadra e San Antonio edhe pse shënoi fitore të ngushtë kundër Denverit 104-103, vlera e kësaj fitoreje është shumë e madhe, ndërsa ekipi i Lakers pas disfatës në ciliësinë e vendasit kundër Clippers 105-113, ka humbur të gjitha gjasat për të qenë pjesë e play offit. Sukses “in extremis” edhe për Miami, që mposhti Atlantan 114-113, në një ndeshje ku rivaliteti ishte i madh.
Disfatë ndoshta edhe të pa pritur ka pësuar Milwaukee, në përballjen me Feniksin në cilësinë e mysafirit 114-105. Brooklyn shumë lehtë se sa pritej mundi Dallasin me rezultat bindës 127-88. Ndërsa Nju Orleans triumfoi ndaj Utah Jazz 115-112. Pas 63 ndeshjeve të zhvilluara tabelën e kryeson Golden State Warriors me 44 fitore e 19 humbje para Denverit që ka 42 fitore e 21 humbje. /Agjencitë/