close

NDËRRON JETË AKADEMIKU IDRIZ AJETI

Akademiku lë gjurmë të pashlyeshme në Gjuhësi


Një lajm i hidhur. Bëhet e ditur se sot në Prishtinë, në moshën 102 vjeçare, ka ndërruar jetë akademiku Idriz Ajeti.

Akademia e Shkenca dhe Arteve të Kosovës, me këtë rast e vlerëson lartë kontributin e akademikut Idriz Ajetit në fushën e gjuhësisë, por edhe si intelektual, pedagog dhe veprimtari i palodhshëm në zhvillimet tona shoqërore. I ndjeri ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i saj në dy mandate, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dijetar e erudit, personalitet shkencor. Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës vlerëson se pa kontributet e tij studimet albanologjike në Kosovë e më gjerë nuk do të ishin këto që janë sot. Akademiku Ajeti ishte dhe mbetet njëra nga figurat më të ndritshme të historisë sonë të re.

Lindi në Tupallë të Jabllanicës së Epërme, me 27 janar 1917. Shkollën fillore e kreu në Banjë të Sijarinës, të mesmen në Shkup, më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit, në Degën e Romanistikës.

Studimet i mbaroi pas Luftës së Dytë Botërore, më 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Deri në vitin 1953 ishte profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin e Prishtinës. /Klan Maqedoni/