Në mungesë të regjistrit, Carovska u bën thirrje prindërve që të paraqiten
Në mungesë të regjistrit, ose të regjistrimit të popullsisë, në Maqedoni nuk dihet saktë sa prindër vetë kujdesen për fëmijë me aftësi të kufizuara, por dihet që shteti i grupon në kategorinë e qytetarëve që shfrytëzojnë ndihma sociale. Nga e mërkura ata vetë duhet të paraqiten në Qendrat për Punë Sociale që të mund të marrin ndihmë në para, shuma e së cilës varet nga mosha e tyre dhe nga statusi i punësimit. Ministrja Milla Carovska paralajmëroi edhe plane të tjera për uljen e varfërisë në vend, gjë që tregon se nuk ndjehet e rrezikuar nga “fshesa” e kryeministrit Zoran Zaev.
Për lehtësimin e jetës së prindërve të cilët vetë kujdesen për fëmijët me aftësi të kufizuara, shteti paralajmëron kompesim në para, dhe u bën thirrje prindërve nga e mërkura të paraqiten në Qendrat për Punë Sociale që të jenë të regjistruar, sepse deri tani asnjë institucion nuk ka evidencë të saktë:
“Do të bëhet kompensim i përhershëm prej 8000 denarëve për të gjithë prindërit të cilët janë kujdesur për fëmijët e tyre, të cilët tani janë në moshën 62/64 vjeçe, varësisht nëse është burrë apo grua, gjithashtu për ata prindër të cilët kanë fëmijë me aftësi të kufizuara, por janë të punësuar. Kompensimi për orarin e shkurtuar të punës do të jetë 50% nga paga mesatare, dhe kjo është gati tri herë më e lartë se kompensimi të cilin dot e marrin prindërit e njëjtë.”-tha Mila Carovska-Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Kjo është pjesë nga e tërë reforma sociale në Maqedoni, e cila kryesisht ka të bëjë me familjet e varfëra me të hyra mujore rreth 200 euro, fëmijët e të cilëve do të ndihmohen me shtesë fëmijërore, arsimore dhe shtesë për fëmijën e tretë, për çka nga buxheti janë planifikuar rreth dy miliardë denarë. Carovska u përmbajt rreth shifrave për atë se sa fëmijë jetojnë në varfëri, por theksoi se edhe vetë ajo kërkon nga Enti statistikor të llogaritë shkallën e varfërisë absolute në vend, që të mund të bëhen krahasime. Shifra 400.000 qytetarë të varfër, me të cilën për momentin disponon Carovska, për VMRO-DPMNE-në zyrtare nuk është e saktë:
“Në Republikën e Maqedonisë mbi 500 mijë qytetarë jetojnë nën pragun e varfërisë dhe nuk mund ta kalojnë muajin. Qeveria e LSDM-së nuk pranoi familje që shfrytëzojnë ndihmën minimale të garantuar, të realizojnë shtesë prej 1000 denarëve për mbulimin e një pjese të shpenzimeve në shtëpi gjatë 12 muajve të vitit, në vend të 6 muajve të propozuar në zgjidhjen e propozuar ligjore.” -thonë nga VMRO-DPMNE.
Në pyetjen nëse ndjehet e sigurt në pozitën e saj, duke pasur parasysh ndryshimet e paralajmëruara në kabinetin qeveritar të kryeministrit Zoran Zaev, ministrja Mila Carovska deklaroi:
“Mendoj se vendimet që do t’i marrë kryeministri janë të përshtatshme dhe në bazë të asaj që e kemi bërë ai do të vlerësojë nëse është e mirë apo e keqe”?-përfundon Mila Carovska-Ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Carovska edhe më tutje nuk është e kënaqur nga puna e inspektoriatit të punës, por mendon se intitucioni gradualisht zhvillohet në drejtim pozitiv. Që të arrihen standardet evropiane në fushën e saj paralajmëron edhe masa për përforcimin e kapaciteteve në Agjencinë për Punësim si dhe rikualifikim të personave që një kohë të gjatë janë jashtë tregut të punës. /Biljana Georgievska/