close

NDOTJA E AJRIT: OKB – TETOVA MË E NDOTURA NË RAJON

Ndotja e ajrit është shkaku për një nga pesë vdekjet e hershme në 19 qytete të Ballkanit Perëndimor – thonë rezultatet e para të një Raporti të përpunuar nga Programi i OKB-së për Ambientin Jetësor. Nga qytetet e hulumtuara, ndotja e ajrit është shkaktare për së paku 15% të vdekjeve të hershme, kurse në Tetovë madje për 19%.

Gjetjet e para të raportit “Ndotja e ajrit dhe shëndeti i njerëzve: rasti Ballkani Perëndimor” tregojnë se numri i përgjithshëm i vdekjeve të hershme që drejtpërsëdrejti ndërlidhet me ndotjen e ajrit është pesë mijë gjatë një viti.

“Burimet kryesore të grimcave PM10 në Maqedoninë e Veriut janë ngrohja e objekteve banesore – 46%, proceset industriale – 22% dhe prodhimi i energjisë – 11% në Shkup, Tetovë, Manastir dhe Veles. Gjithashtu burime kryesore të grimcave PM2.5 janë ngrohja e objekteve banesore – 58%, proceset industriale – 20% dhe prodhimi i energjisë – 6%.” – thuhet në raportin e OKB-së.

Përqindja e vdekjeve të përgjithshme natyrore që u mveshen ndotësve të ajrit në qytetet e Ballkanit Perëndimor lëviz prej 4% në Bar dhe Tivat të Malit të Zi deri në 19% në Tetovë. Sipas raportit të OKB-së, në Tetovë, grimcat PM2.5 kanë shkaktuar mbi 14% të të gjitha llojeve të shkaqeve të vdekjeve. Siç thuhet në raportin e OKB-së, thujase 130 mijë vjet jete potenciale janë humbur në periudhë prej 10 viteve për shkak të vdekjeve të hershme që mund t’u mveshen ekspozimit të ajrit të ndotur.

Sipas raportit, burimet kryesore të grimcave të dëmshme janë termocentralet që shfrytëzojnë thëngjill të kualitetit të dobët dhe ngrohja e amvisërive. Më shumë se 60% e njerëzve që jetojnë në Ballkanin Perëndimor shfrytëzojnë thëngjill dhe dru për t’i ngrohur shtëpitë e tyre, kurse vetëm 12% e ndërtesave janë të kycur në sistemet e ngrohjes qendrore.

“Sfida më e madhe për Shqipërinë, B e H, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë është tempoja e integrimit të tyre në BE. Strukturat ekonomike dhe industriale në rajon janë mbindërtuar, por tani duhet që të përmirësohen politikat e kontrollit të ndotjes së ajrit”-thuhet në raportin e OKB-së.

Efekti i ndotjes së ajrit në shëndetin e njeriut është llogaritur më ndihmë të softuerit ER KJU PLUS i zhvilluar nga Organizata Botërore e Shëndetëisë. Siç thuhet në raport, vlerësohet se numri i vdekjeve do të ishte shumë më i madh nëse të gjitha të dhënat relevante do të ishin të kapshme për analiza. /Klan Maqedoni/