close

NDOTJA: VLERËSIMI NDËRKOMBËTAR – S`KENI KONTROLL NDAJ MASAVE

Në një raport të një trupi ndërkombëtar të revizorëve, të përbërë nga 15 institucione të larta nga Evropa, së bashku me Gjykatën evropiane të revizorëve, të publikuar nga Enti Shtetëror për Revizion e që ka të bëjë me kualitetin e ajrit, mes tjerash thuhet se buxheti për këtë destinim nuk është përkatës dhe se nuk ka kontroll ndaj masave kundër ndotjes.

Industria është ndotësi më i madh në Maqedon – thuhet në raportin e përbashkët të revizorëve për kualitetin e ajrit të EUROSAI – Organizatës evropiane të institucioneve. Ndotësit tjerë janë ngrohja e amvisërive dhe firmave më të vogla, derisa automjetet janë vlerësuar si ndotës mesatar, kurse mbeturinat, bujqësia dhe faktorët tjerë vlerësohen si ndotës më të vogël.

Trupi ndërkombëtar i revizorëve, i përbërë nga 15 institucione të larta kanë shqyrtuar kualitetin e ajrit në disa vende. Për Maqedoninë, në raport thuhet se sistemi për menaxhim me kualitetin e ajrit nuk është organizuar dhe koordinuar në mënyrë të drejtë, respektivisht inspektimet nuk janë koordinuar në nivel qendror dhe lokal.

Gjetjet tregojnë se qeveritë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Rumani dhe Spanjë, plotësisht nuk kanë implementuar as edhe strategjinë kombëtare. Në rastin e Maqedonisë, Plani Kombëtar nuk përmban tregues për matjen e efektivitetit të zbatimit të politikave. Sistemet për monitorim në së paku nëntë vende, nuk gjenerojnë të dhëna të besueshme.

Revizorët ndërkombëtar i rekomandojnë Qeverisë që t’i azhurnojë të gjitha aktet relevante ligjore dhe t’i harmonizojë me direktivën evropiane për ajrin ambiental, gjithashtu të sigurojë buxhet për punë dhe mirëmbajtjen e stacioneve monitoruese për kualitetin e ajrit. /Klan Maqedoni/