close
Top LajmeVendi

NDRYSHIMI I KUSHTETUTËS: DITA D – E PREMTJA

134509333_1539777440-4350611

Shumica pohon se i ka dy të tretat e votave  


Deri në momentin e fundit do të zgjasë konfirmimi i shumicës prej dy të tretave për ndryshimet kushtetuese. Kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës për nesër paralajmërojnë, siç thuhet, një miting gjithëpopullor para Parlamentit. Ndërkohë, paqartësitë e epilogut parlamentar janë shtuar me kushtëzimet që po vijnë nga radhët e opozitës shqiptare.

Çështjen e stabilitetit të shumicës e imponuan Besa e Bilall Kasamit dhe Aleanca për Shqiptarët, me katër deputetë, që kanë kërkesat e tyre për pakon e amendamenteve.

Besa ka tri amendamente në Kushtetutë dhe një në Ligjin Kushtetues, që të saktësohet se shteti nuk është monoetnik. Kërkojnë që gjuha shqipe dhe shkrimi i saj të jenë në përdorim zyrtar në të gjithë vendin, kurse në pjesën që ka të bëjë me shtetësinë në vend të zgjidhjes “qytetarë/maqedonas të Republikës së Maqedonisë së Veriut” të qëndrojë vetëm “qytetarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut”.

Nga Besa kërkojnë që të përmenden edhe të gjitha bashkësitë etnike si pjesë të diasporës maqedonase si dhe të intervenohet në Kushtetutë, me qëllim që çdo ligj që do të votohet për herë të dytë automatikisht të hyjë në fuqi, pa dekretin e Presidentit. Nëse nuk gjendet ndonjë zgjidhje, opozita shqiptare paralajmëroi se nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese. Ndërkohë, analistë politik për Klan Maqedoni kanë theksuar se këto kërkesa edhe pse të drejta, janë të vonuara, tani kur vendi gjendet para një procesi mjaft të rëndësishëm për perspektivën e saj euroatlantike.

Për grupin e pavarur të tetë deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit, të cilët në fazën e parë ndihmuan të sigurohet shumica prej dy të tretave, nuk ka asgjë kontestuese nëse përmenden bashkësitë etnike në pjesën e diasporës. Por, lidhur me zgjidhjen për shtetësinë, një pjesë e tyre thonë se nuk do të votojnë nëse qeveria pranon të fshihet fjala “maqedonase”, ngase kjo është në kundërshtim me garancitë për forcimin e identitetit.

Tash për tash rreth shumicës së dy të tretave ka spekulime të shumta. Nga njëra anë, burime të pushtetit thonë se shumica është siguruar dhe se partitë shqiptare nuk do të lejonin të jenë shkaku që Maqedonia të mbetet jashtë NATO-s dhe larg BE-së. Të tjerë, vlerësojnë se deri në fund epilogu do të jetë i pasigurtë, por megjithatë besojnë në përfundim të suksesshëm. Burime të VMRO-DPMNE-së thonë se në grupin e tyre parlamentar ka deputetë të tjerë që besojnë se ndryshimet kushtetuese duhet të marrin përkrahje. Por, me paralajmërimin e partisë se nuk do të merr pjesë në këtë proces në parlament, lideri Mickoski këtë herë ka siguruar mënyrën që t`i mbajë deputetët larg seancës plenare, që të mos ndodh që dikush të mbetet e të votojë, siç ndodhi më 19 tetor.

Seanca e nesërme në Parlamentin e Maqedonisë është temë bosht edhe e medias greke. Siç njofton korespodenti ynë nga Athina, Robert Goro, parashikohet që deri të premten të dihet rezultati i votimit në Kuvend, madje edhe me shumicë më të madhe se 80 deputetë. Një pjesë e këtyre mediave përmendin edhe obstruksionin e mundshëm institucional nga ana e Presidentit Ivanov, por vlerësojnë se më së voni deri më 15 janar procesi do të rrumbullaksohet dhe topi do të hudhet në terrenin grek. Në këtë kontekst, interpretohet edhe vizita e kancelares gjermane Angela Merkel në Athinë më 10 dhe 11 janar, respketivisht si siguri se Marrëveshja e Prespës do të miratohet nga pala e Maqedonisë. /Rean Saiti/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia