close
Screenshot_2

Disa me shtesën “veriore”, kurse të tjerë me atë “kombëtare”. Në këtë mënyrë do të bëhet ndryshimi i emrit të 136 institucioneve shtetërore, publike dhe të atyre që financohen nga buxheti, konform Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimeve të bëra kushtetuese. Vendimi për riemërimin e institucioneve zyrtarisht është miratuar në seancën e 124 të Qeverisë.

Pas dy muajve, presidenti i ri i zgjedhur i vendit do të transferohet në rezidencën e tij, ku do të shkruhet – Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo është vetëm njëra nga 136 institucionet që do të kenë emërtime të reja konform ndryshimeve kushtetutese. Bëhet fjalë për institucione shtetërore, publike e të tjera që financohen nga buxheti.

Në emërtimet e Qeverisë dhe të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë shtohet fjalia “E Veriut”. Do të ketë Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut, Gazeta Zyrtare e Maqedonisë së Veriut dhe Kryqi i Kuq i Maqedonisë së Veriut e më pas, muzetë, gjykatat, prokuroritë, arkiva, ministritë, qendrat kulturore, fonde, komisione, aeroporte e të tjerë, të gjithë me shtesën e “Maqedonisë së Veriut”.

Tek një pjesë e institucioneve shtesa “maqedonase” do të zëvendësohet me “kombëtare”. Radio-Televizioni maqedonas bëhet Radiotelevizioni Kombëtar, Pyjet Kombëtare, Banka Kombëtare për përkrahje dhe zhvillim, Opera dhe Baleti Kombëtar. Emri i ri i vendit do të qëndrojë edhe para universiteteve.

Riemërimi i isntitucioneve që financohen nga Buxheti është bërë konform tre kritereve. Mbetet të shihet se si do të jetë emri i ri i Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, për të cilën po zhvillohen konsultime.

Riemërimet e institucionet ishin vërtetuar në seancën qeveritare, me propozim të Grupit ndërdikasterial të punës për realizimin e obligimeve nga Marrëveshja e Prespës. Afati është katër muaj, kurse brenda një jave duhet të dorëzojnë raport për ndryshimet e të gjitha dokumenteve digjitale, siç janë logot, memorandumet, ueb-faqet, mediat, materialet e shtypur e të ngjashme. /Klan Maqedonia/

 

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia