close
Top LajmeVendi

NË DITËN E POLICISË PRANIME TË REJA TË FAJIT NË RASTIN “SOZIA”

9180633C-3AA1-4771-9A42-4F998539A36D

EDHE DY TË PUNËSUAR NË MPB PRANOJNË FAJIN


Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Sozia” edhe dy të punësuar në MPB e pranuan fajin për shpërdorim të pozitës me dhënien e mbi 200 pasaportave me identitet të rrejshëm njerëzve me prapavi kriminale nga rajoni. Me këtë gjithsejt shtatë nga 11 persona të akuzuar e kanë pranuar fajin, që sipas prokurorit tregon se faktet kundër tyre janë të forta. Në manifestimin me rastin e 7 majit, Ditës së Policisë, Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski sot edhe një herë bëri thirrje që policia të çlirohet nga ndikimet politike, të biznesit dhe ndikime të tjera.

Shtatë nga gjithsejt 11 zyrtarë të policisë të akuzuar për dhënie të paligjshme të pasaportave me të dhëna të huaja personave me dosje kriminale nga rajoni, para gjykatës e pranuan fajin dhe u dënuan me 1 vit e 7 muaj deri 2 vite e 7 muaj burg, por edhe më 10 vite ndalesë për ushtrim të profesionit. Dy prej tyre fajin e pranuan në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Sozia”, në mesin e të cilëve edhe Olivera Sofronievska, e cila në pozitë udhëheqëse e ka miratuar dhënien e 198 pasaportave kontestuese. Rasti që ka ngritur përplasje në mes pushtetit dhe opozitës, ka zbardhur lëshime serioze në punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ka njollosur imazhin e policisë. Si rezultat, në manifestimin e sotëm të Ditës së Policisë, Presidenti i shtetit ua rikujtoi të punësuarve në MPB detyrën e tyre themelore.

STEVO PENDAROVSKI, PRESIDENT I RMV-së

“Së pari respektim i ligjit dhe sundim i së drejtës. Së dyti profesionalizmi, zyrtarët e policisë janë të obliguar të përmbahen nga keqpërdorimet dhe shkeljet e autorizimeve. Së treti – paanshmëria, në çdo shtet demokratik ligjet vlejnë për të gjithë njëlloj, për këtë arsye policia duhet t’i zbatojë në mënyrë neutrale, pavarësisht përkatësisë etnike, sociale, politike, partiake ose përkatësi tjetër e njerëzve.”

Ministri Oliver Spasovski, në fjalimin e tij pati më shumë lëvdata për kolegët e tij, por edhe sugjerim në urimin e drejtpërdrejtë me rastin e 7 majit.

OLIVER SPASOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME

“Së bashku të vazhdojmë në rrugën e ndershme, sepse vetëm kjo është rruga e vërtetë. Rroftë policia e Maqedonisë së Veriut.”

Opozitarja VMRO-DPMNE thotë se pikërisht në mandatin e Spasovskit policia në Maqedoninë e Veriut ka pësuar degradimin më të madh.

VMRO-DPMNE

“Është hipokrite të urojë ditën e policisë dhe të flasë për profesionalizmin e saj në kushte kur ai personalisht ka emëruar kryeshef në stacion policor, i cili në aksionin e DEA-s u kap me 200 kilogramë drogë. Gjatë mandatit të tij ka ndodhur edhe skandali më i madh “Mafia”,dhënia e 200 pasaportave zyrtare të RMV-së për bosët e drogës, mafiozëve, kriminelëve dhe vrasësve.”

Respektimi i ligjeve dhe zbatimi i tyre real mbeten sfida kryesore e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në raportin e fundit të Komisionit Evropian për përparimin e Maqedonisë së Veriut shënohen hapa pozitivë në nivel operativ në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por siç thuhet – nevojitet më shumë që të përmirësohet efikasiteti në zbatimin e ligjeve dhe në luftën kundër formave specifike të krimit. /KlanMacedonia

Klan Macedonia

The author Klan Macedonia