Pirovska: Është vepër penale dhe çon drejt dhunës
Menjëherë pas aksidentit të trafikut, me mijëra njerëz përmes rrjeteve sociale kanë shprehur ngushëllime për viktimat dhe familjet e tyre. Por, kishte edhe mesazhe provokuese që shkaktuan shqetësime shtesë dhe kritika, sikurse ishin katër fjalitë e Profesoreshës Biljana Vankovska, që kthejnë në kohën e konfliktit ndëretnik në Maqedoninë e vitit 2001, në vendin e njëjtë. Dekanati i Fakultetit Filozofik u përmbajt nga komentimi, duke bërë thirrje për etikë e moral, derisa nga Komiteti i Helsinkit janë kategorik – përhapja e gjuhës së urrejtjes është vepër e ndëshkueshme me ligj.
“Çfarë tragjedie dhe ironie: Karpallaku” – janë fjalët që mbrëmë ngritën një sërë kritikash në rrjetet sociale në adresë të profesoreshës Biljana Vankovska, në profilin e së cilës u shfaq ky mesazh. Shumica e dënuan se po ngre urrejtje kombëtare e fetare, duke sugjeruar se fakteqësia është hakmarrje për vdekjen e ushtarëve maqedonas, në vendin e quajtur Karpallak, para 18 viteve. Dekani i Fakultetit Filozofik në Shkup, është distancuar nga fjalët e koleges së tij, të cilët sot u zhdukën nga Facebooku, por kërkoi edhe respektimin e etikës së profesorëve.
“Unë duhet të distancohem si dekan nga qëndrimet personale të profesorëve të caktuar, dhe padyshim se si fakultet filozofik jemi të obliguar dhe çdo profesor këtu është i obliguar me kodin etik të Universitetit. Ajo që është e rëndësishme, profesorët nuk guxojnë të përhapin gjuhë të urrejtjes dhe për këtë shkak unë distancohem.” deklaron Ratko Duev – Dekan i Fakultetit Filozofik.
Më kategorike është Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit Uranija Pirovska, duke bërë të ditur se gjuha e urrejtjes ndëshkohet sipas ligjit.
“Gjuha e urrejtjes është veprë që ndëshkohet sipas ligjit dhe nuk guxon të tolerohet përhapja e saj. Çdoherë të njëjtët njerëz janë ata që përhapin gjuhë të urrejtjes, Milenko, Vankovska. Edhe vetë situata mund që mëtej të shkaktojë inkurajimin e të gjithë atyre që e ndjekin dhe të vazhdojnë me gjuhë më eksplicite të urrejtjes” -shprehet Uranija Pirovska – Komiteti i Helsinkit.
Pirovska ka thënë se do të dërgojnë ankesë në institucionet kompetente për këtë rast, por edhe për të tjerët në të kaluarën, ngase gjuha e urrejtjes çon drejt dhunës. Ndryshe, një numër i madh i shfrytëzuesve të rrjeteve sociale dje në mbrëmje kanë treguar një solidaritet dhe humanitet të lartë, duke hapur shtëpitë e tyre për familjet e të lënduarve, duke ofruar grupe të rralla të gjakut për trajtime mjekësore, si dhe ndihma tjera për viktimat e aksidentit tragjik në autostradën Shkup-Tetovë. /Klan Maqedoni/