close

NË MESNATË HY NË FUQI HESHTJA ZGJEDHORE

Nesër votojnë të burgosurit dhe personat me nevoja të veçanta


Mesnata mes të premtes dhe të shtunës shënon fundin e fushatës politike dhe hyrjen në fuqi të heshtjes zgjedhore për Presidencialet e 21 prillit. Tre kandidatët, dhe forcat politike që i mbështesin ata, Blerim Reka, Gordana Siljanovska – Davkova dhe Stevo Pendarovski, bëjnë sot përpjekjet e fundit për të mobilizuar sa më shumë votues.

Zgjedhjet e gjashta presidenciale, edhe kësaj here do të vëzhgohen nga monitorues të vendit dhe ndërkombëtarë. OSBE/ODIHR-i ka bërë të ditur se ka akredituar gjithsej 279 vëzhgues, përcjellë Klan Maqedoni.

Të shtunën, të drejtën e votës mund ta ushtrojnë 1.640 persona nëpër institucione ndëshkuese-korrektuese dhe që ndodhen në gjendje paraburgimi, shtatë persona të zhvendosur nga brenda vendit si dhe 3.583 persona me nevoja të veçanta, kryesisht të palëvizshëm dhe të sëmurë, të cilët kanë kërkuar nga komisionet komunale zgjedhore të shfrytëzojnë të drejtën e votimit.  Të shtunën si dhe të dielën votimi nis në orën shtatë të mëngjesit dhe përfundon në orën 19:00 të mbrëmjes.

Zgjedhjet Presidenciale do të kryhen në 3.480 vendvotime të shpërndara në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit si dhe në 32 vendvotime në botën e jashtme. Në këto të fundit për të votuar janë paraqitur 1.782 shtetas të RMV-së.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se sipas Listës tashmë të mbyllur të votuesve, të dielën më 21 prill të drejtën e votës e gëzojnë 1.808.131 qytetarë. /Seladin Xhezairi/