close

NË PRITJE TË FUTBOLLIT NDËRKOMBËTAR NË TETOVË

Bexheti: projekti i ri është prezantuar në UEFA


Klubi i futbollit Shkëndija këtë kampionat për të tretën herë në historikun e saj 40 vjeçare ka fituar titullin kampion i Maqedonisë së Veriut që do të thotë se sërish do të përfaqësoj vendin në garat kualifikuese për Ligën e Kampionëve të Europës. Por armata e madhe e tifozëve kuqezi dhe dashamirët e futbollit sërish do të duhet të udhëtojnë në Shkup apo Strumicë për shkak se stadiumi i qytetit në Tetovë akoma nuk plotëson kushtet për ndeshje ndërkombëtare. Zaten kjo paraqitet si shqetësim më i madh tek adhuruesit e kuqezinjve.

Ndërkaq, Kryetari i Shkëndijës Visar Bexheti i ftuar në emisionin  99 Minuta në Klan Maqedoni nuk ka saktësuar ndonjë datë, por ka theksuar se Tetova do të ketë një stadium që i plotëson kriteret e UEFA-së, siç thotë, pasi të tejkalohen disa probleme administrative.

“Sa i përket stadiumit disa herë ka pas biseda në mediume edhe nëpër koluare të ndryshme stadiumi i qytetit do të ndërtohet. Shkëndija në fakt kompania Ekolog dhe klubi i futbollit janë shumë të vetëdijshëm se edhe klubi edhe qytetit i duhet një stadium. Tani është punuar në projektin, projekti është prezantuar para organeve  të UEFA-s, ka edhe disa çështje tashmë, mund të themi të vogla administrative të cilat duhet qartësuar. Mirëpo unë shpresoj se do të tejkalohen edhe ato probleme administrative dhe një ditë të filloj ndërtimi i stadiumit.”- tha Visar Bexheti-Krytar i KF Shkëndija

Stadiumi i qytetit në Tetovë prej tri viteve ka terrenin e rinovuar dhe vendosjen e dritave nga ana e FFM-së me donacion të UEFA-së si pjesë e projektit Het-Trik 4, ndërsa pjesa tjetër e punimeve që i takonte Komunës së Tetovës nga korriku i vitit 2016 me vendimin e Këshillit komunal iu dha me koncesion firmës LD Sportsqë vepron në kuadër të Kompanisë Ekolog. Por që edhe pas afro tri viteve akoma nuk ka filluar rikonstruktimi i stadiumit. /Shaban Sinani/