SHKËNDIJA NUK KA RIVAL TË DENJË
Pjesa e dytë e kampionatit në Ligën e Parë të Maqedonisë do të startojë më 17 shkurt. Ish futbollisti dhe kapiteni i Shkëndijës, Nebi Mustafi i cili është njohës i mirë i futbollit vendor për Klan Maqedoni, theksoi se edhe në pjesën e dytë të kampionatit fjalën kryesore do ta ketë ekipi tetovar.
“Nëse do të komentoja kampionatin, se çfarë presim në përgjithësi, do të them se Shkëndija ka një përparësi në krahasim me ekipet e tjera për ta fituar kampionatin. Me lëvizjen që bëri me ardhjen e Agim Ibraimit, nga situata që ishin ku edhe Besart Ibraimi mungonte. Është bërë një lëvizje e mirë, shpresoj se ekipi përsëri do të fitojë peshën për të luftuar në kampionat dhe për ta fituar atë”,deklaroi ish futbollist Nebi Mustafi.
Duke u bazuar në organizimin e ekipeve që garojnë në Ligën e Parë sipas Nebi Mustafit, ky kampionat në përgjithësi nuk do të jetë shumë atraktiv në krahasim me ato dy vite më parë.
“Thjeshtë do them, kampionati jo shumë atraktiv, duke marrë parasysh se nuk kemi atë luftën që bëhej para dy-tri viteve mes Vardarit dhe Shkëndijës. Ne si dashamirës duam që Shkëndija të jetë e para, mirëpo njëkohësisht duam edhe rivalitet për të parë ndeshje më kualitative. Përndryshe kampionati humb peshën”,tha Nebi Mustafi.
Në javën e parë të pjesës pranverore të kampionatit ndeshja derbi do të zhvillohet mes dy skuadrave më të mira në vend Shkëndija- Vardari./Shaban Sinani