Prej sot nisi punën Agjencia për Siguri Kombëtare dhe me këtë Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim ka shkuar në histori. Këtë e bëri të ditur drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski në konferencën për media që u mbajt sot në Qeveri.
Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare Viktor Dimovski në konferencën për media që u mbajt sot në Qeveri, bëri të ditur se me nisjen me punë të kësaj agjencie përfundoi faza kyçe e reformave në fushën e sigurisë, e cila nisi me ndarjen e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe kalimin e saj në institucion të pavarur, si Agjenci për Siguri Kombëtare.
“Me këtë përfundoi faza kyçe e reformave në fushën e sigurisë, dhe se Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim, e cila në të kaluarën u keqpërdor nga qëllime personale dhe grupore, përfundimisht shkon në histori. Them e keqpërdorur, sepse në periudhën paraprake, në kohën e pushtetit paraprak, qytetarët ishin viktimë e kapaciteteve, resurseve nga një pjesë e të punësuarve në Drejtori”, tha Dimovski.
Dimovski njoftoi se në funksion të tërësishëm prej sot janë të gjitha kapacitetet dhe mjetet me të cilat do të veprojë kjo Agjenci. Megjithëse me ASN-në përfundoi faza kyçe e procesit të reformave në siguri, të njëjtat nuk kanë përfunduar në tërësi. Siç tha Dimovski, ato do të duhet të dëshmohen në ballafaqimin me rreziqet ndërkombëtare.
Ai gjithashtu njoftoi se të punësuarit të cilët janë nga përbërja e kaluar e DSK-së, i janë nënshtruar rivetingut, duke u shqyrtuar baza e të dhënave e 14 institucioneve shtetërore. Kjo është bërë me qëllim që të verifikohen kualifikimet e tyre në fushën e sigurisë. Ndarja e DSK-së dhe kalimi i saj në ASN erdhi si rezultat i publikimit të skandalit me përgjimet e paligjshme, të ashtuquajtura “bomba”. /Klan Macedonia/