Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se një person është plagosur në kazermën “Goce Dellçev” në Shkup pasi ka tentuar që të hyjë dhunshëm në objektin ushtarak. Fillimisht ushtari që ka qenë në roje, disa herë e ka paralajmëruar verbalisht personin, por pasi që nuk është bindur, rojtari ka qëlluar dy herë në ajër.
Ushtari që ka qenë në roje duke vepruar në bazë të procedurave, herët në mëngjes në orën 02:53 minuta, ka parandaluar një përpjekje për hyrje me dhunë në kazermën “Goce Dellcev” në Shkup-kanë njoftuar nga Ministria e Mbrojtjes. Siç thuhet, ushtari disa herë verbalisht ka paralajmëruar personin, por pasi ka refuzuar paralajmërimet, roja ka gjuajtur dy herë në ajër në shenjë paralajmërimi.
“Personi edhe më tej i ka injoruar paralajmërimet ku me një nga gjuajtjet është goditur në thembrën e këmbës së djathtë. Konform procedurave i është dhënë ndihma e parë dhe është transportuar në spital. Menjëherë janë njoftuar organet kompetente hetuese”–theksojnë nga Ministria e Mbrotjes.
Policia ushtarake, MPB-ja dhe Prokurori Publik kanë dalë në vendngjarje. Të gjitha informacionet relevante dhe provat nga kjo ngjarje i janë dorëzuar organeve kompetente që janë duke punuar në zbardhjen e rastit – thuhet në komunikatën e Ministrisë së Mbrojtjes.