Ekspozitë e rrallë e eksponateve të paçmuara të cilat datojnë nga shekulli i dytë deri në shekullin e pestë para erës sonë, të gjetura në stepat e Kazakistanit, do të jetë e hapur nesër në Muzeun Arkeologjik në Shkup. Rreth 25 kg ar, e shkrirë në stoli të lashta dhe në formën e një luftëtari, mbetjet e të cilit janë zbuluar në vitin 1969, do të ekspozohen nën masa të veçanta sigurie, deri në gjysmën e muajit gusht, pas çka ekspozita do ta vazhdojë rrugën e saj në Evropë. “Njeriu i artë” është brend i Kazakistanit me të cilin krenohet vendi, thonë mysafirët nga Astana, të cilët morën pjesë në promocionin e ekspozitës.
Në hapësirë të errët dhe vitrina me shkëlqim, janë ekspozuar dekore të mëdha të arta, unaza dhe vathë, mjete të vjetra dhe instrumente, të dekoruara me punime artistike të tekstilit në ngjyra të ndritshme. Në to janë të gdhendura luftëtarë, kuaj, dhe simbole të tjera të civilizimit në stepën e madhe aziatike – dëshmitarë të heshtur të historisë së perandorëve të stepave. Në fund të korridorit ju pret “Njeriu i artë” – i drejtuar dhe i stolisur si luftëtar me qëndrim trimfues, simboli i civilizimit të lashtë në Kazakistan, brend me të cilin vendi krenohet edhe sot dhe dëshiron t’ia tregojë tërë botës.
“Deri tani kemi gjetur tetë luftëtarë të artë dhe u bëjmë thirrje shkencëtarëve të vinë te ne, ku janë zbuluar edhe artefakte të tjera të lidhura me “Luftëtarin e artë”…Kemi Mbretëreshën Metaksaja, varrimi i madh i 13 kuajve, të veshur tërësisht me rroba të arta. Kemi edhe artefakte të tjera të gjetura të rreth 8 njerëzve të artë, siç i quajmë ne.” –tha Nurazkan Almaz Shajkenoviç, Muzeu Kombëtar, Kazakistan.
Rrëfimi i ekspozitës “Stepa e madhe, historia dhe kultura” fillon me faktet e para të demistifikimit dhe rolin e tij në jetën e popujve nomadë në stepa, vazhdon me trashëgiminë e popullit antik Saka, që të përfundojë me perlat e kulturës materiale të Kazakistanit të sotëm.
“Në qendër të vëmendjes së ekspositës është zbulimi më domethënës arkeologjik dhe simboli i Kazakistanit, “Luftëtari i artë” i popullit Saka nga shekulli i pestë para erës sonë, i quajtur edhe Tutankamoni i Kazakistanit. Jemi të nderuar dhe krenarë që pikërisht muzeu ynë u bë pjesë e këtij turneu të “Njeriut të artë” nëpër botë.” –shprehet Goran Sanev, Muzeu Arkeoligjik i Maqedonisë.
“Njeriu i artë” në Maqedoni vjen nga lindja, pas rrugëtimit në Rusi, Bjellorusi, Azerbejxhan, Korenë e Jugut, Uzbekistan dhe vende të tjera. Nga Shkupi, pas përfundimit të ekspozitës, në mes të muajit gusht, do ta vazhdojë rrugën nëpër Evropë. Legjenda për Njeriun e Artë, sipas mediave botërore edhe mëtutje ka të fshehtat e saj. Disa nga shkencëtarët besojnë se nën konstruktin e artë, në të vërtetë ka qenë një grua e vdekur, por për shkak të ruajtjes joadekuate të eshtrave, pas hapjes para 50 viteve, nuk janë të sigurtë se kjo mund të dëshmohet përmes analziës së ADN-së. /Klan Macedoni/