close

NORVEGJIA MBËSHTET PERSPEKTIVAT EUROATLANTIKE

Çështja Goce Dellçev – Dimitrov nesër në Sofje


Ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov nesër do të udhëtojë në Sofje, ku shpreson se do të ketë mundësi për bisedime – çështjet historike dhe delikate të mos e rrezikojnë procesin e eurointegrimit të Maqedonisë dhe përparimin e tërë rajonit. Këtë e deklaroi në konferencën e përbashkët për shtyp me kolegen e tij nga Norvegjia, ministren Ine Eriksen Soreide, e cila theksoi se mezi pret të ulet pranë Dimitrovit në tryezën e përbashkët të NATO-s.

A mund të jenë tonet e ashpra nga Sofja, pengesa e re për eurointegrim të vendit, në lidhje me përkatësinë historike të Goce Dellçev, të cilin për dekada me radhë e llogaritin si të vetin edhe Maqedonia edhe Bullgaria? Në këtë pyetje gazetareske sot ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov u përgjigj se që nesër do të tentojë të bisedojë me kolegët e tij në Sofje, me të cilët ndan qëllime të mëdha të përbashkëta.

“Si vende fqinje që kemi nënshkruar marrëveshje për miqësi e cila përfshin edhe shumë çështje delikate dhe emotive, për të dyja palët, në kuptim të historisë, jam i bindur se do të gjejmë mënyrë që me respekt ndaj tjetrit dhe me miqësi të mos i rrezikojmë këto qëllime të rëndësishme. Jam i bindur se suksesi i Maqedonisë në aspekt të integrimit evropian është shumë i rëndësishëm për Bullgarinë fqinje dhe mike, dhe do të gjejmë mënyrë që kjo të realizohet, jo vetëm të mos jenë pengesë, por të jenë edhe promotor.” -tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme, RMV.

Rreth praktikave për çështje të ngjajshme në vendet e Evropës veriore ministrja e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, Ine Eriksen Soreide, në konferencën e përbashkët për shtyp në Shkup, nuk deshi të flasë në detaje, duke theksuar se është e rëndësishme të vazhdojë dialogu i hapur midis Maqedonisë dhe Bullgarisë. Edhe pse larg njëra-tjetrës gjeografikisht, ajo tha se mezi pret të ulet në tryezën e NATO-s, ku me ministrin Nikolla Dimitrov do të jenë fqinj.

“Mezi pres të ulem afër Nikollës në tryezën e NATO-s, edhe pse gjeografikisht jemi larg, do të jemi fqinj në tryezë. Ai do të ulet midis meje dhe Holandës dhe shpresoj që kjo do të mundësojë bashkëpunim edhe më të mirë. Mos harroni se Holanda zakonisht sjell çokolata në takime, kështu që duhet të keni diçka të ëmbël edhe ju.” –deklaroi Ine Eriksen Soreide, Ministre e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.

Eriksen Soreide theksoi se Norvegjia angazhohet për zhvillim të gjithë Ballkanit Perëndimor, për këtë arsye dy vitet e kaluara e ndau ndihmën për projekte në rajon, të cilat në qendër të vëmendjes kanë sundimin e së drejtës, punësimin e të rinjve, bashkëpunimin rajonal, ndërsa për Maqedoninë edhe procesin e integrimit në NATO dhe në BE. Është në interes të Evropës t’i përfshijë të gjitha vendet që duan të jenë anëtare, deklaroi ministrja norvegjeze, vend i cili nuk është anëtar me të drejta të plota të Bashkimit Evropian, por nga viti 1944, si Islanda dhe Lihtenshtajni, ka vetëm marrëveshje për përfshirje në tregun e vetëm evropian. /Biljana Georgievska/

 

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!