Vazhdimisht ka hapësirë për përmirësimin e politikave kadrovike në qeveri. Veçanërisht tani kur patëm dy ngjarje të mëdha politike, referendumin dhe zgjedhjet presidenciale të cilat dëshmuan se në kuadër të institucioneve janë të nevojshme ndryshimet të cilat realisht do t’i përfshijnë resorët të cilët kanë treguar rezultate më të dobëta, deklaron profesori universitar Qani Nuhiu, duke komentuar situatën aktuale të qeverisë dhe paralajmërimet për rikonstruktim.
Duke komentuar situatën aktuale të qeverisë, paralajmërimet për rikonstruktimin e saj dhe sigurimin e zgjidhjeve kadrovike për përforcimin e kapaciteteve të institucioneve, profesori universitar Qani Nuhiu deklaron se vazhdimisht ka hapësirë për përmirësimin e politikave kadrovike në qeveri. Ai thekson se gjatë fushatës parazgjedhore ‘fshesa’ u përdor si simbolikë për konsolidimin e institucioneve e që u prit momenti i pas zgjedhjeve.
‘‘Vazhdimisht ka vend, ka hapësirë për përmirësimin e politikave kadrovike në qeveri. Veçanërisht tani kur patëm dy ngjarje të mëdha politike, referendumin dhe zgjedhjet presidenciale të cilat dëshmuan se në kuadër të institucioneve janë të nevojshme ndryshimet të cilat realisht do t’i përfshijnë resorët të cilët kanë treguar rezultate më të dobëta. Aq më tepër kur edhe u premtua publikisht nga kryeministri aktual Zaevi, për ‘fshesën’.” -deklaroi Profesori Universitar Qani Nuhiu.
Nuhiu vlerëson se aktualisht për seleksionimin e kuadrove mbetet dominuese lojaliteti dhe besnikëria ndaj strukturave partiake dhe veçanërisht, siç shprehet ai, ndaj liderëve politikë.
‘‘Më tepër është duke dominuar lojaliteti dhe besnikëria ndaj strukturave partiake, veçanërisht ndaj liderëve politikë. Vettingu do të ishte njëra nga format e përzgjedhjes së kuadrove, megjithatë ka edhe forma të tjera të cilat mund të përdoren.’’ – tha Profesori Universitar Qani Nuhiu.
Lidhur me rikonstruktimin e qeverisë, lideri i LSDM-së Zoran Zaev dhe ai i BDI-së Ali Ahmeti theksuan se së pari do të bisedojnë me bashkëpartiakët dhe më pas do ta diskutojnë në nivel të liderëve. Ahmeti, në një deklaratë për mediat ditë më parë tha se mbetet në kërkesën për kontroll të deputetëve dhe funksionarëve të cilët kryejnë veprim publik dhe se ka kërkuar këshilla për zbatimin e vetingut, me çka do të pengohen sulmet ndaj funksionarëve dhe përhapjes së lajmeve të rreme. /Blerona Jakupi/