Fruthi është kthyer në katër vende të Evropës që më parë kanë qenë të pastra nga sëmundja, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH). Ndërkohë autoritetet e vendit kanë theksuar se është arritur shkalla e imunizimit kolektiv lidhur me vaksinimin kundër kësaj sëmundje dhe se aktivitetet do të vazhdojnë.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, sëmundja E FRUTHIT nuk konsiderohet më e çrrënjosur në Shqipëri, Republikën Çeke, Greqi dhe Britani. Vendet shpallen pa fruth kur nuk ka një transmetim endemik për 12 muaj në një zonë specifike gjeografike.
Afro 365,000 raste me fruth janë raportuar në të gjithë botën këtë vit, tha OBSH-ja, çfarë do të thotë gati tre herë më shumë sesa në gjysmën e parë të 2018-ës.
Zyrtarët e OBSH-së thonë se arsyet e përhapjes ndryshojnë nga vendi në vend. Disa njerëz nuk kanë qasje në programet e vaksinimit, ndërsa të tjerët keqinformohen në lidhje me sëmundjen dhe parandalimin e saj.
Ndryshe, në vendin tonë, në mesin e dokumenteve që nxënësit e klasës së parë do të sjellin ditën e regjistrimit në shkollë është kalendari i vaksinimit. Prindërit që nuk do të sjellin vërtetim të tillë do të duhet të paguajnë dënim në para nga 150 deri në 300 euro, ndërsa deri tani nuk dihet nëse këtyre fëmijëve do t’u ndalohet të shkojnë në shkollë. Një javë para fillimit të vitit shkollor 2019-2020, nga Ministria për Arsim dhe shkencë kanë përsëritur se në përputhje me vendimin e qeverisë i miratuar gjatë muajit maj, shkollat fillore i pranojnë dokumentacionet për regjistrim të fëmijëve në klasë të parë, por regjistrohen vetëm ato që kanë vërtetim se i kanë pranuar vaksinat e obligueshme. Por, shifrat tregojnë se problemi me jovaksinimin është kryesisht i zgjidhur.
Për disa muaj, nga muaji janar kur u shpall epidemia deri tani vaksinimi është rritur deri në atë nivel sa mund të thuhet se është arritur shkalla e imunizimit kolektiv. Që të jemi të mbrojtur nga shpërthimi i epidemisë imunizimi kolektiv duhet të jetë të paktën 95%, ndërsa tani ai është 98% në nivel shtetëror, dhe 99% në Shkup. Por, aktivitetet promovuese do të vazhdojnë, thonë punëtorët shëndetësorë.
Deri tani, me vaksinën MRP janë vaksinuar 35.870 persona në moshë deri 14 vjeç. Prej tyre, në Shkup janë vaksinuar 16.732 persona, ndërsa në pjesën tjetër të vendit janë vaksinuar 19.138 persona në moshë deri 14 vjeç. Nga fillimi i epidemisë janë regjistruar 1.893 raste të fruthit në territorin e gjithë vendit, që paraqet numrin më të madh në 20 vitet e kaluara. Përndryshe, fundi i epidemisë së fruthit duhet të shpallet kur dy herë pas 12 ditëve nuk do të ketë të paraqitur asnjë pacient të sëmurë me fruth. /Klan Macedoni/