Më 21 Prill përveç zgjedhjeve presidenciale do të mbahen edhe zgjedhje të jashtëzakonshme lokale në Komunat Ohër, Dibër dhe Strugë. Tri komunat ballafaqohen me probleme financiare, kurse për postin e kryebashkiakut garojnë mjekë, biznesmenë, doganierë, e të tjerë. Ata do të mbeten në funksion vetëm gjysmë mandati deri në zgjedhjet e rregullta lokale që duhet të mbahen në vitin 2021. Ekipi ynë qëndroi në Ohër, ku kandidatët kanë premtuar se do të ballafaqohen me migrimin, do të realizojnë projekte infrastrukturore, dhe rregullojnë borxhet e Komunës.
Kandidati nga LSDM, Konstatin Georgievski deklaron se nëse fiton mandatin e kryetarit të komunës së Ohrit në fokus do të ketë shlyerjen e borxheve të komunës dhe zhbllokimin e llogarive, dhe mandej, siç shprehet ai, do të fillojë me investimet e tjera në dobi të qytetarëve.
‘Në këto kushte kur komuna ka llogari të bllokuar dhe shumë borxhe, e para gjë më e rëndësishme që duhet bërë është shlyerja e borxheve. Do të ulim shkallën e interesit dhe kur të arrihet kjo, atëherë do të fillojmë të flasim për investime të tjera më të mëdha, përmirësime në infrastrukturë dhe mjedisin jetësor, plotësimin e standardeve të UNESKOS dhe një sërë problem të tjera.’ -tha Konstantin Georgieski-Kandidat i LSDM-së.
Infrastruktura, projektet për fëmijët, të rinjtë, për kategoritë e rrezikuara dhe të tjerë, janë kryesisht ato që premton se do të vërë në realizim që në fillim të mandatit- thotë Mitre Milloshoski, kandidat i VMRO-DPMNE-së
‘Dua të bëj relaksim të marrëdhënieve, gjendja është shumë e tensionuar, qytetarët janë të indinjuar dhe të varfër. Fatkeqësisht Ohri është shumë i papastër, menjëherë pas kësaj pamje që po shihni, fshihet një tjetër. Nuk do të lejojmë që as në qytet po as në fshtra të ketë rrugë të paasfaltuara, nuk do të lejojmë të ketë restrikcion të ujit dhe mungesë të kanalizimeve. Premtoj projekt për ushqim falas për të gjithë fëmijët nga klasa e parë deri në të pestën, që t’i shmangin ushqimet e shpejta sepse të njëjtat shkaktojnë sëmundje të ndryshme, sidomos obezitetin. Poashtu premtojmë se do të ndërtojmë kënde multifunksionale që të rinjtë t’i tërheqim nga kafenetë.’ -shprehet Mitre Milloshoski-Kandidat nga VMRO-DPMNE-ja.
Ndërkaq, Xhemal Mena, kandidati i vetëm shqiptar nga radhët e Lëvizjes Besa, premton që qeverisja lokale do të jetë e barabartë për të gjithë dhe do të anashkalojë ndasitë që kanë ekzistuar deri më tani tek pjesët shqiptare dhe pjesët e pakicave të qytetit të Ohrit. Mena, poashtu thekson se do të angazhohet më tepër në planin urbanistik të qytetit, largimin e ndërtimeve të egra dhe plotësimin e standardeve të UNESKO-s.
‘Komuna ose qeverisja lokale do jetë e barabartë për të gjithë njerëzit. Në çdo qytet të Maqedonisë edhe Ohri përmendet për migrim shumë të madh dhe qëllimi ynë është që ta ndalojmë këtë duke sjellë investitorë të huaj në qytetin e Ohrit dhe duke iu dhënë mundësi edhe këtu për të investuar. Do mundohemi që turizmi të jetë edhe gjatë stinëve të tjera i zhvilluar. Do bëjmë atraksione të ndryshme, sidomos në fushën e monumenteve historike.’ -thekson Xhemal Mena-Kandidat nga Lëvizja ‘Besa’.
Ndërsa qytetarët, në anketën e zhvilluar nga Klan Maqedoni, shprehen me pritshmëri të ndryshme.
‘Problem i madh janë qentë endacakë dhe papastërtia në qytet.’
‘Ta ndërtojë pak qytetin, rrugët janë të gjitha me gropa, qytetarët i thyen makinat. Problemi më i madh është infrastruktura, vetëm qendra rregullohet.’
Ndryshe, gjithësej pesë kandidatë kanë parashtruar kandidaturën për funksionin kryetar komune në Ohër në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 21 prill. Në mesin e këtyre kandidatëve garon edhe Kiril Trendafilov – Nançe nga partia e Unionit -Demokratik Qytetar dhe Stevçe Stevoski si kandidat i partisë politike Demokratët. Siç është bërë e ditur, këto zgjedhje u shpallën për shkak të vdekjes së papritur të kryetarit të komunës së Ohrit Jovan Stojanoski, më 15 dhjetor të vitit të kaluar. /Blerona Jakupi/