close

OPOZITA: BURG PËR RASHKOVSKIN-AI I FTON NË KONFERENCË PËR MEDIA

Duke dashur të arsyetohet për audio xhirimin që doli në opinion ku ai dëgjohet se si merret vesh me një kompani italiane për tenderë, Sekretari Gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski, tha që është kyçur me urdhër të Qeverisë në procedurën për blerjen e sistemit të ri për M-NAV, me qëllim që ta debllokoj të njëjtën… Por nënkryetari i Qeverisë, nuk e ka idenë se a e ka ngarkuar, apo jo Qeveria Rashkoskin që të merret me këtë punë.

“Unë në këtë moment nuk e di se a ka ndonjë vendim për ta ngarkuar Rashkoskin për M-NAV, por e di se në seancën e fundit të Qeverisë kemi diskutuar për raportin për incidentin që ka ndodhur në M-NAV. Janë sjellë përfundime adekuate në bazë të cilëve duhet të veprohet, dhe në bazë të atyre përfundimeve do të duhet të pastrohen të gjitha çështjet, përfshirë edhe për këtë që po flitet në publik.” – deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Punëve të Brendshme

As për incidentin që ka ndodhur, Spasovski tha se nuk mund të flet publikisht, për shkak se është folur në seancë të mbyllur të Qeverisë, por pranoi se ka pasur lëshime në Agjencinë për kontrollin e fluturimeve.

E kur politika flet në Maqedoninë e Veriut, organet e drejtësisë heshtin.

“Prokuroria Publike që është nën kontroll të Zoran Zaevit, tanimë tre ditë po hesht në lidhje me dyshimet dhe provat që u paraqiten në publik për krimin shtatë milionësh që u bë nga ana e Dragi Rashkovskit gjatë blerjes së sistemit për fluturim.”- shprehet Ivanka Vasilevska, VMRO DPMNE

Nga opozita akuzojnë se “Leonardo” e ka fituar tenderin me dokumentacion të skaduar, në kundërshtim me vendimin e Qeverisë, e se për këtë i ka ndihmuar Rashkovski, duke përdorur pozitën zyrtare. E rikujtojnë Rashkovskin se për shkelje të tillë ligjore, dënimi minimal është me 5 vjet burg, e Prokurorisë i bëjnë thirrje që të caktoj masë të paraburgimit për Sekretarin Gjeneral, me qëllim që mos të ndikojë në procedurën hetimore, si dhe mos të ikë.

Ky i fundit ka thirrur prek konferencë për nesër, ku i ftoi edhe përfaqësues të opozitës, që të parashtrojnë çfarëdo pyetje që kanë. /Furkan Saliu/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!