279 vëzhgues për zgjedhjet presidenciale
OSBE/ODIHR-i zyrtarisht ka filluar misionin monitories të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, që do të përbëhet nga ekipi kryesor prej 11 ekspertëve dhe 18 vëzhguesve afatgjatë, që do të shpërndahen në tërë vendin. Në mënyrë plotësuese ODIHR-i,nga vendet anëtare të OSBE-së do të kërkojë edhe 250 vëzhgues afatshkurtër që do të arrijnë në vend disa ditë para rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale të caktuara për 21 Prill.
“Ky është monitorimi i 18-të i zgjedhjeve në vendin tuaj. Ky mission do ta monitorojë jo vetëm ditën e zgjedhjeve por edhe periudhën para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Do ta ndjekim administrimin e zgjedhjeve, fushatën e kandidatëve dhe financimin e tyre.” –shprehet Korin Jonker – Shefe e Misionit të OSBE/ODIHR-it
Shefja e këtij misioni Korin Jonker ka shtuar se nuk janë të interesuar për rezultatin, por për kualitetin e procesit zgjedhor, me qëllim që, sic tha, secili votues ta realizojë të drejtën e lirë dhe transparente të votës. OSBE-ODIHR-i do ta vlerësojë harmonizimin e zgjedhjeve me obligimet e OSBE-së dhe obligimeve tjera ndërkombëtare dhe standardeve për zgjedhje demokratike, si dhe me legjislaturën kombëtare. Vëzhguesit do ta ndjekin regjistrimin e votuesve dhe kandidatëve, aktivitetet e fushatës, punën e administratës zgjedhore dhe institucioneve përkatëse qeveritare, rregullativën zgjedhore, implementimin dhe zgjidhjen e kontesteve zgjedhore si dhe mbulimin medial të fushatës. /Verica Dimijtrievska/