“Green Book”, (Libri i Gjelbër) është fitues i edicionit të 91-të të çmimeve Oscar, të ndara mbrëmjen e së dielës në Los Angjelos. Filmi mori tre trofetë kryesorë, përfshirë edhe ato të skenografisë më të mirë dhe aktorin më të mirë jo protagonist. Ndërsa filmi që grumbulloi më shumë trofe, katër të tillë, ishte “Bohemian Rapsody” për jetën e këngëtarit të famshëm Freddy Mercury. Rami Malek u shpall aktori më i mirë protagonist, ndërsa regjisori më i mirë u shpall Alfonso Cuarón për filmin Roma.
Filmi Green Book apo “Libri i Gjelbër”, i cili pasqyron marrëdhëniet mes racave në Amerikë në vitit 1960, ka fituar çmimin Oscar në kategorinë e filmit më të mirë të vitit. Çmimi për filmin më të mirë ka qenë vetëm një nga tre çmimet Oscar, të cilët i ka fituar ky projekt. Green Book është bazuar në tregimet e vërteta të një njeriu të bardhë, që ka shoqëruar me makinë pianistin afrikano-amerikan, Don Shirli në një turne në jug të Shteteve të Bashkuara më 1960.
Në ceremoninë e 91-të të ndarjes së këtyre çmimeve, Rami Malek ka fituar çmimin për aktorin më të mirë në rolin që ka pasur në filmin Bohemian Rhapsody, i cili paraqet jetën e kryesuesit të grupit Kuin. Malek, ka fituar këtë çmim për shkak të portretizimit të Freddi Merkurit, me prejardhje nga India, familja e të cilit është shpërngulur në Angli, kur ai ka qenë adoleshent. Në kategorinë e çmimit për aktoren më të mirë ka triumfuar Olivia Kolman për rolin e saj në filmin, “Favoriti”. Ajo ka mposhtur aktoren Glenn Klouz, e cila ishte konsideruar se do të jetë fituese, për shkak të punës së saj në filmin, “Bashkëshortja”. Ceremonia e 91-të e ndarjes së këtyre çmimeve është mbajtur të dielën në Los Angjelos. /Agjencitë/