Me eliminimin e Shkëndijës nga garat kualifikuese në Ligën e Kampionëve që në raundin e parë, konsiderohet një zhgënjim i madh për të gjithë duke filluar nga vetë drejtuesit e klubit deri tek tifozeria. Ekipi në dy ndeshjet kundër Nomme Kalju lujati e pa motivuar dhe nuk vërehej atmosferë ashtu siç jemi mësuar ta shohim këtë skuadër pa marr parasysh se a fiton apo humb. Me një fjalë ishte ndeshja më e dobët prej kur ekipin e drejton Qatip Osmani.
“Po detyra ime pas kësaj loje është që ta kthej atmosferën dhe të mobilizohemi, të koncentrohemi sa më mirë për kundërshtarin e ardhshëm Dudelange ose Valeta. Thashë gjatë kësaj jave ndoshta nuk është koha e mjaftueshme, por do të mundohemi çmos të bëjmë që të përgatitemi sa më mirë për lojën e ardhshme.” -tha Qatip Osmani, Trajner i KF Shkëndija.
Më shqetësuese është se këtë ndeshje e përcollën një numër shumë i vogël i armatës së madhe të tifozerisë kuqezi, të cilët të pakënaqur me rezultatin dhe sidomos me lojën turpëruese e fishkëlluan ekipin e zemrës, ndërsa e duartrokitën kundërshatrin. Tani drejtuesit e klubit duhet të mendohen mirë se si të motivojnë tifozët që përsëri t’i kthejnë në tribunën e stadiumit. Për këtë trajneri Osmani tha:
“Me rezultate, s’ka tjetër. Publikun e kthen vetëm rezultati.”- deklaroi Qatip Osmani, Trajner i KF Shkëndija.
Shkëndija pas eliminimit të befasishëm nga garat e Ligës së Kampionëve, tashmë do të vazhdojë të prezantojë Maqedoninë e Veriut në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm europian, Liga Europa, ku kundërshtarë i “kuqezinjëve” në këtë fazë do të jetë skuadra kampione e Luksemburgut, Dudelanzh, që mbrëmë u eliminua nga skuadra kampione e Maltës, Valeta. /Shaban Sinani/