close

OSMANI: DUHET QËNDRIM I UNIFIKUAR PËR KOSOVËN

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, gjatë qëndrimit në Uashington, ka deklaruar se për një marrëveshje të qëndrueshme mes Kosovës e Serbisë me rëndësi vendimtare do të jetë një qëndrim i unifikuar i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Këto komente zoti Osmani i ka bërë gjatë mbajtjes së një ligjërate në Fondacionin Gjerman Marshall,  në Uashington.

Zëvedëskryeministri Osmani gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është angazhuar që Kosova e Serbia, në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, të ndjekin shembullin e Maqedonisë dhe Greqisë të cilat i dhanë fund një problemi prej disa dekadash. Në këtë rrafsh, Osmani ka thënë se me rëndësi vendimtare është roli i faktorit ndërkombëtar.

“Unë mendoj se me rëndësi të veçantë edhe për Kosovën edhe për Serbinë është qëndrimi i unifikuar i komunitetit ndërkombëtar. Kur them këtë kam fjalën për Uashingtonin dhe Brukselin dhe jo për Rusinë dhe Kinën. Me rëndësi të veçantë është që edhe Uashingtoni, por edhe Brukseli të përçojnë porosi përmes të cilave do të mund që Kosova dhe Serbia të gjejnë një zgjidhje të mundshme mes vete.” – tha Zëvedëskryeministri Osmani.

Zëvendëskryeministri për çështje Evropiane, Bujar Osmani, në ligjeratën e mbajtur në Fondacionin prestigjioz Gjerman Marshall, në Uashington, ka theksuar se të dyja palët, Kosova dhe Serbia, duhet të hyjnë në negociata pa ato që ai i ka quajtur ‘linja të kuqe’  të përcaktuara paraprakisht, për shkak se, ka thënë ai,  ato mund të shndërrohen në pengesë dhe të krijojnë probleme në rajon.

“Përmes një qasjeje të hapur mes palëve dhe një qëndrimi të unifikuar të komunitetit ndërkombëtar do të duhej të shihnim një zgjidhje të qëndrueshme përmes së cilës do të konfirmohej plotësisht edhe shtetësia e Republikës së Kosovës, anëtarësimi i saj në Kombet e Bashkuara dhe hapja e rrugës euroatlantike për Kosovën dhe Serbinë. Kjo e fundit duhet të vendos vet nëse dëshiron të anëtarësohet në NATO, por Kosovës duhet t’i hapet rruga drejt NATO-së dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.” –deklaroi Zëvedëskryeministri Osmani.

Zëvendëskryeministri Bujar Osmani, qëndroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Mëngjesin tradicional të Lutjeve, që organizohet nën kujdestarinë e presidentit Donald Tramp. Me këtë rast ai pati një vistër takimesh të nivelit të lartë dhe në qendër të vëmendjes ishin marrëdhëniet dypalëshe dhe përkushtimi i Maqedonisë për t’u përfshirë sa më parë në NATO dhe Bashkimin Evropian. /Klan Maqedoni/