close

OSMANI: “PRESPA” E GARANTUAR NDËRKOMBËTARISHT

Analistët e vendit thonë se ndryshimi i pushtetit në Greqi nuk do të ndryshojë asgjë rreth anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, por janë të kujdesshëm kur bëhet fjalë për marrëdhëniet e ardhshme me BE. Marrëveshja e Prespës është me garanca ndërkombëtare, por nuk përjashtohet ngadalësimi i zbatimit të disa klauzolave të Marrëveshjes.

Për Zv/Kryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmanin, tranzicioni i pushtetit në Greqinë fqinje është më i rëndësishëm se sa kush është fituesi. Ai ka uruar Kirjakos Micotakisin për fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare duke shfaqur shpresën se bashkëpunimi i filluar me Maqedoninë e Veriut do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Osmani shton se Marrëveshja e Prespës është i garantuar ndërkombëtarisht dhe se edhe mëtej do të jetë bazë për përparimin e marrëdhënieve mes dy fqinjve. Por, Lupço Petkovski nga Organizata Joqeveritare EVROTING, nuk përjashton probleme gjatë zbatimit të kësaj Marrëveshjeje.

“Unë mendoj se 90% e kontestit për emrin ishte rreth antikës, se kush kishte të drejtë t`i shfrytëzojë mitet e antikës. Me Marrëveshjen e Prespës ne hoqëm dorë nga kjo. Nga njerëzit që janë të kyçur në proces dëgjoj se në këtë pjesë, në çështjet arsimore, arkeologjike, historike – ka një progres. Këtu do të dakordohemi, për dallim nga bullgarët, me të cilët nuk pritëm probleme, por ja ndodhën. Por mendoj se më shumë probleme do të ketë në ato rregullore, të lëna qëllimisht rreth shfrytëzimit të emrit Maqedoni në çështjet tregtare.”-deklaroi Lupço Petkovski – “Evrotink”.

Për profesorin Denko Maleski është e pasigurt se si do të jetë qasja e Athinës zyrtare rreth anëtarësimit të ardhshëm të Maqedonisë së Veriut në BE.

“Asgjë nuk mund të përjashtohet. Ne do të donim që Ciprasi të vazhdonte, për shkak të realizimit më me sukses të Marrëveshjes së Prespës, por populli grek vendosi ndryshe. Cipras pagoi çmimin e “Prespës” – veçanërisht në pjesën veriore të vendit.”-shprehet Denko Maleski – Ish-Diplomat.

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, me të cilën u mbyll kontesti shumëvjeçar me Greqinë rreth përdorimit të emrit Maqedoni, sipas analistëve edhe më tej do të zhvillohet në mënyrë asimetrike, duke pranuar me këtë rast se, dinamika e nënshkrimit të marrëveshjeve të ndërsjella është përshpejtuar, por se nuk përjashtohen më shumë mosmarrëveshje rreth detajeve të kësaj Marrëveshjeje. E mira e rezultateve zgjedhore, sipas analistëve është që Kryeministri i deritashëm Cipras ka humbur disa përqindje, respektivisht blloku që ka përkrahur Marrëveshjen e Prespës mbetet forcë serioze politike në Greqi. /Klan Macedoni/

 

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!