Kryeministri pakistanez, Imran Khan, tha se do të takohet me talibanët, në një përpjekje për të bindur grupin militant të mbajë bisedime me qeverinë afgane, për t’i dhënë fund luftës gati 18 vjeçare në Afganistan. “Unë do të takohem me talibanët dhe do të përpiqem t’i bindi për të biseduar me qeverinë afgane”, tha Khan gjatë një bisede në Institutin e Paqes në Uashington.
Khan, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara, zhvilloi bisedime për situatën në Afganistan, me presidentin amerikan, Donald Trump, si dhe me sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Talibanët kanë refuzuar të negociojnë drejtpërdrejt me qeverinë e mbështetur nga Perëndimi në Kabul, duke e quajtur atë të paligjshme. Pakistani ka ndihmuar për të ndërmjetësuar negociatat e paqes ndërmjet SHBA-së dhe talibanëve. /Agjencitë/