close

PARADA E PARË E HOMOSEKSUALËVE NË SHKUP NËN MASA TË ASHPRA SIGURIE

Organizatorët e paradës së parë të homoseksualëve në Maqedoni, fundjavën e ardhshme në Shkup, si dhe policia garantojnë se ngjarja do të kalojë e qetë për të gjithë. Pritet që në paradë, në të cilën është paralajmëruar pjesëmarrja e mysafirëve – aktivistëve nga vendet fqinje, por edhe evropiane, të marrin pjesë edhe përfaqësues të qeverisë, në shenjë përkrahjeje të politikës së tyre për shoqëri të barabartë për të gjithë dhe mosdiskriminim në asnjë bazë. Për të njëjtën ditë paralajmërohet edhe një lloj kundërproteste – deri tani padetaje kush është organizatori.

Të bindur deri në shkallë të garancisë, organizatorët e paradës së parë të përfaqësuesve të komunitetit LGBT në Maqedoni pohojnë se gjithçka do të shkojë qetë dhe pa incidente. Kanë mbështetje nga shumë njerëz, nga vendi dhe nga rajoni, por janë evidente edhe tentimet për njollosjen e kësaj ngjarje, deklaron Koço Andonovski nga Qendra për mbështetje të komunitetit LGBT.

“Janë evidente përpjekjet që me urrejtje të vendoset nën hije apeli për barazi, kyçje, inkluzivitet. Janë evdiente përpjekjet që të nënçmohet mundësia që haptazi të flasim për homofobinë, transfobinë dhe bifobinë, të cilat sjellin jo vetëm situata jobarazie, por edhe e rrisin rrezikun nga dhuna ndaj komunitetit LGBT.”- tha Koço Andonovski, Qendra LGBT.

Në frymën e politikave të veta për “një shoqëri për të gjithë”, pjesëmarrjen e tyre në paradë e paralajmëruan edhe përfaqësues të qeverisë.

“Kemi paralajmërime se një pjesë e deputetëve dhe të ministrave do të marrin pjesë, ndërsa fjalim do të mbajë edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska. Në paradë do të marrin pjesë edhe miqtë tanë nga Bosnja, Mali i Zi, Greqia, Bullgaria, Serbia, Kosova, Shqipëria…”- deklaroi Antonio Mihajllov, Qendra LGBT.

Të njëjtën ditë, në të njëjtën kohë në Shkup, përmes rrjeteve sociale bëhet thirrje për tubim qytetar fetar për mbështetje të traditës, martesës dhe familjes, siç thuhet, me video për ilustrim nga ambienti tjetër:

“Të mos lejojmë ridefinim të institucionit të martesës dhe të familjes dhe imponimin e çfarëdolloj ideologjie që është në kundërshtim me vlerat familjare, morale dhe shpirtërore”.

Në paradën “Skopje Prajd” pritet që të marrin pjesë prej 200 deri në 500 persona, ndërsa policia përgatitet që të parandalojë çdo lloj dhune të mundshme.

“Çdo përpjekje për dhunë do të sanksionohet në mënyrën më të  ashpër, ne e kemi treguar deri tani, këtë do ta bëjmë edhe në të ardhmen, se ngjarje të këtilla dhe të ngjajshme si kjo do t’i sigurojmë në nivelin më të lartë… Do të kemi numër të mjaftueshëm të policëve që gjithçka të kalojë në mënyrë të rregullt dhe paqësore.”-shprehet Toni Angellovski, Zëdhënës i MPB-së.

Nga vendet e Ballkanit vetëm në Maqedoni dhe në Bosnjë-Hercegovinë nuk është organizuar parada e homoseksualëve, e cila llogaritet një lloj testi për shkallën e tolerancës në shoqëri dhe respektin e dallimeve. Në vendet fqinje gjatë kohës së paradave të homoseksualëve kishte edhe dhunë të theksuar, siç ishte rasti në Serbi para rreth dy dekadash.

Në vendet e Evropës perëndimore, me shkallë më të lartë të tolerancës dhe mosdiskriminim të njerëzve me orientim të ndryshëm seksual, këtyre ditëve gjithçka është në shenjën e ngjyrave të ylberit – simbol i komunitetit LGBT. Qershori është zgjedhur si “Muaji i Krenarisë”, në kujtim të protestave kundër policisë në Stounvoll, Nju Jork, para 50 viteve, që llogaritet si një nga momentet më të rëndësishme në lëvizjen për liri të homoseksualëve në botë. /Biljana Georgievska/

 

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!