Është parandaluar futja e një sasie të re të cigareve dhe duhanit në tregun vendas, përmes vendkalimeve kufitare Tabanoc dhe Bogorodicë. Në dy operacione, Drejtoria e Doganave ka kapur rreth 30 tonë cigare të paketuara dhe duhan, të fshehura në kuti për letër. Dëmi potencial për buxhetin e shtetit, nga mospagesa e akcizës, do të mund të kapte vlerë prej rreth 1 milion euro.
Drejtoria e Doganave sot njoftoi se në dy operacione, në maj dhe në qershor të këtij viti, janë kapur rreth 30 tonë cigare dhe duhan në gjethe, i cili më vonë do të shitej si i përpunuar në treg.
“Në vendkalimin kufitar Tabanoc më datë 28/05/2019 gjatë kontrollit të automjetit të mallrave me regjistrim serb gjetën 1000 pako me cigare ilegale, me peshë totale prej 15 mijë kilogramëve. Në të njëjtin vendkalim kufitar më datë 24/05/2019 është zbuluar një furgon me regjistrim serb me 102 pako cigare ilegale.” –deklaron Drejtoria e Doganave Gjorgji Tanaskovski.
Tanaskovski sot nuk dha detaje të reja për kontrabandën e mëparshme, para dy javësh, kur rreth 12 tonë duhan në gjethe u kap në fshatin e Shkupit Luboten dhe vende të tjera në rrethinë, gjatë së cilës vlerësimet ishin se jo vetëm që duhanpirësit do të konsumojnë cigare shumë më të dëmshme për shëndetin e tyre, por edhe buxheti i shtetit do të dëmtohej për 7 milionë e gjysmë euro. Hetimi përfshin katër ndërmarrje, me të dhëna të dyshimta gjatë regjistrimit, njoftoi atëherë drejtori i Policisë Financiare.
“Puna jonë është që të bëjmë kontrollin dhe verifikimin e subjekteve juridike të cilët janë importues dhe të cilët e shesin ilegalisht këtë duhan.” –shprehet Arafat Muaremi, Drejtor i Policisë Financiare.
Një pjesë e cigareve të kapura në aksionin e fundit janë prodhuar në një fabrikë kineze, në rajon, e llojit “Ashima”, “Luksori Sajz” dhe “Marbëll de luks”. Kontrabandistët, të dhënat e të cilëve janë të njohura për institucionet adekuate, përballen me dënime nga një deri në dhjetë vite burg, theksojnë nga Dogana dhe shtojnë se tani për tani nuk ka të dhëna se ndonjë nga të punësuarit në doganë e ka ndihmuar kontrabandën. Lëndët janë dorëzuar në Prokurorinë Publike në Kumanovë dhe Gjevgjeli. Para dhjetë ditësh Prokuroria Publike Shkup filloi hetimet kundër një 20-vjeçari nga Luboteni, për anashkalimin e tatimeve të akcizës gjatë furnizimit të duhanit pa banderola, të cilin ka planifikuar ta shesë në Bit Pazar. /Biljana Georgievska/