close

PARTITË MERREN VESH PËR 10 AMENDAMENTE

Ashtu siç nuk pritej, seanca e Komisionit për çështje evropiane filloi qetë, kurse 10 amendamente u kaluan unanimisht për më pak se 15 minuta. Grupet e punës mes partive politike ishin dakorduar për 10 amendamente, nga gjithsej 54 të propozuar. Tre u tërhoqën, ndërsa partitë politike do të duhet të arrijnë marrëveshje për amendamentet e mbetura.

Pranohet amendamenti i BDI-së për përdorimin e gjuhës shqipe, nevojë që paraqitet nga Ligji për përdorimin e gjuhëve, i cili kërkon harmonizimin e çdo ligji të ri të sjellë. Pranohet edhe amendamentet e VMRO DPMNE-së për rritjen e buxhetit të Prokurorisë si dhe për rritjen e përgjegjësisë individuale tek prokurorët.

Amendamentet e LSDM-së kishin të bëjnë me emërimin e institucionit, si dhe me datën e hyrjes në fuqi të ligjit. Në bazë të amendamentit të partisë në pushtet, ligji nuk do të hyjë menjëherë në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare, por më 15 shtator.
Edhe pse fillimi premton vazhdim të mbarë të procedurës për sjelljen e ligjit, deputeti Antonio Milloshoski, tha që ende ka dallime rreth çështjeve kyçe.

“Njëra prej temave është metodologjia e zgjedhjes së Prokurorit që do të jetë në krye të Prokurorisë për krim të organizuar dhe korrupsion. Si do të veprohet me prokurorët ndihmës të Katica Janevës për të cilët  ne mendojmë se janë zgjedhur me mandat, dhe në përputhshmëri me vendimet e tyre për pushimin e vendeve të punës ata do të duhej të kthehen aty ku kanë qenë. Lëndët që janë në procedurë gjyqësore kurse janë nisur nga PPS si prokurori e autorizuar të jepen tek Prokurori Publik e më pas ai t’i shpërndajë në Prokurorinë për Krim të organizuar dhe korrupsionit. Zgjedhja e personit të parë të Prokurorisë për Krim të organizuar dhe korrupsion… Të mos jetë e patjetërsueshme që ai të jetë nga radhët e Prokurorëve Publik, por ketë përfshirje më të gjerë, për shembull t’i përfshijë edhe profesorët që kanë ligjëruar gjatë kohë këtë lëndë.”- shprehet Antonio Milloshoski, deputet i VMRO DPMNE-së.

Për të gjitha çështjet ka disponim që të bisedohet nga shumica, por dallime ka.

“Personalisht mendoj se përzierja e politikës në zgjedhjen e personave të parë të cilët do të udhëheqin me prokuroritë do ta rrënonte principin e pavarësisë. Unë mendoj se ne duhet të bëjmë gjithçka që sa më pak politika të përzihet në zgjidhjen kadrovike të personave që do të punojnë në cilindo Prokurori.” –deklaroi Snezhana Kaleska, LSDM.

Kryetari i Komisionit për çështje evropiane, Artan Grubi, informoi se seanca do të vazhdojë kur do të ketë marrëveshje për amendamentet tjera. Debati në këtë komision është i kufizuar në dy ditë pune. /Furkan Saliu/