UNDP dhe Norvegjia investuan 700.000 euro për edukimin e më të vegjëlve
Fëmijët nga komuna e Shuto Orizarës do të kenë çerdhe të re, në vendin ku para disa vitesh zjarri shkatërroi plotësisht çerdhen e vjetër. Objekti është ndërtuar me ndihmë financiare nga Mbretëria e Norvegjisë dhe UNDP-ja. Kryetari i komunës Kurto Dudush paralajmëron projekte të reja për modernizimin e lagjes.
Latifes së vogël i vinte turp të flasë para mikrofonit, por kënaqej në luhatësen në oborrin e çerdhes së re në qendër të komunës Shuto Orizarë. Edhe fëmijët brenda ishin të gëzuar, në çerdhen e sapondërtuar, së bashku me palaçon që luftonte me tullumbacen e kuqe. Në objektin e ri, i ndërtuar në vendin ku para disa vitesh zjarri shkatërroi plotësisht çerdhen e vjetër, e ndërtuar para 40 viteve. Qeveria e Norvegjisë dhe Agjencia për Zhvillim pranë Kombeve të Bashkuara, me investim prej rreth 700 mijë eurosh mundësuan kushte bashkëkohore për kujdes, zhvillim dhe edukim të më të vegjëlve.
“Me këtë objekt kapital, fëmijët tonë u është dhënë mundësia për përkujdesje në kushte më bashkëkohore, më moderne, me çka sigurojmë zhvillim për çdo fëmijë në komunën tonë. Romët meritojnë standard të njejtë jetësor si të tjerët.” –tha Kurto Dudush, Kryetar i Komunës Shuto Orizarë.
Gjithçka në çerdhe është e re, shtretërit, kuzhina moderne, lojërat dhe pajisjet ndihmëse për mësim. Ky është rezultat I punës së përbashkët të disa partnerëve, theksoi përfaqësuesja e UNDP-së duke shtuar se komuniteti rom në Maqedoni I ka kushtet më të mira për zhvillim.
“Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut siguron kushtet më të mira për popullatën rome. E përgëzojmë qeverinë për të gjitha përpjekjet. Dhe edhe një herë e konfirmojmë se jemi partner i qeverisë, për mbështetje edhe në të ardhmen.”- deklaroi Narine Sahkjan, UNDP.
Çerdhet e fëmijëve mungojnë edhe në vendbanimet tjera, ndërsa ministrja e punës dhe politikës sociale, Milla Carovska, premton se do të ndërtohen edhe më tej, por për këtë duhet të angazhohet pushteti lokal.
“Atje ku ka kryetarë komunash të përkushtuar, ku kujdesen për nevojat e qytetarëve, atje investon edhe qeveria. Atje ku kryetarët e komunave nuk janë të përgatitur, nuk e kanë përgatitur dokumentacionin, nuk mund të ketë ndërtim. Në Tetovë, Tearcë, Saraj, Çair janë në ndërtim, ndërsa në Vrapçisht mendoj se janë në fazë përfundimtare.-shprehet Mila Carovska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.
Megjithatë, Sahkjan përkujtoi se në Shuto Orizarë ende ka pabarazi te kushtet dhe standardin jetësor të komunitetit rom me popullatën tjetër në vend, të rinjtë romë nuk janë në mënyrë të barabartë të përfaqësuar në tregun e punës, ndërsa ka më pak institucione për punë me fëmijë. Kryetari i komunës Dudush në këtë drejtim paralajmëroi investime të reja, këtë herë vendore, për ndërtimin e terreneve sportive, parqeve për fëmijë, kanalizim dhe rrugë, në Shuto Orizarë, e cila llogaritet si një nga komunat më të mëdha rome në Evropë. Por shumë fëmijë romë edhe më tej janë jashtë institucioneve arsimore, gjë që mbetet sfidë për autoritetet në vend. /Biljana Georgievska/