Fillimi i procesit nuk është diçka për të cilin kemi interes të jemi kundër. Duhet t’i mbrojmë interesat tona dhe të zhvillojmë një betejë të vështirë gjatë negociatave – ka theksuar zëdhënësi i ri i qeverisë greke Stelios Pecas në një intervistë për televizionin shtetëror grek, lidhur me atë nëse do të pajtohen për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në.
Zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Pecas në intervistën e parë pas formimit të qeverisë greke, rreth Marrëveshjes së Prespës thotë se do të fokusohen në zvogëlimin e pasojave negative të kësaj marrëveshjeje, përmes fushatës për promovimin e Maqedonisë greke dhe mbrojtjes së brendit Maqedoni dhe interesave greke kur do të hapen kapitujt në negociatat e Shkupit me Brukselin. Zëdhënësi Pecas ka thënë se ata si opozitë kishin bërë çmos që të mos nënshkruhet Marrëveshja e Prespës.
“Bëmë gjithçka që marrëveshja të mosratifikohet, fatkeqësisht qeveria paraprake e ratifikoi. E dijmë se është vështirë që këto marrëveshje, që obligojnë vendin të ndryshohen ose të shfuqizohen. Atë që duhet ta bëjmë në këtë kornizë të krijuar është që t’i zvogëlojmë pasojat negative dhe këtë do ta bëjmë në dy nivele. Së pari, me fillimin e fushatës në gjithë botën për Maqedoninë e vërtetë, Maqedonia jonë ta ketë pranimin e nevojshëm në botë.” –tha Stelios Pecas-Zëdhënës i qeverisë greke.
Në pyetjen nëse ata do të pajtohen për fillimin e negociatave aderuese të Maqedonisë së Veriut, Pecas ka theksuar se fillimi i procesit nuk është në interes që të jenë kundër dhe se beteja kryesore do të zhvillohet gjatë negociatave. Lidhur me gjuhën dhe identitetin, dy pikat për të cilat Demokracia e Re ishte kategorikisht kundër, Pecas në intervistën për ERT ka theksuar se pikërisht për këtë kanë bërë çmos që marrëveshja të mos nënshkruhet. /Klan Macedoni/