Edicioni i 16-të organizohet në Durrës
Fitues i edicionit të 15-të me radhë Turneu Mbarëkombëtar i futbollit për fëmijë “ULQINI 2019” doli ekipi i Pejës që drejtohet nga trajneri Kahrimon Loxha, pasi në finale mundi ekipin e Durrësit 2-0. Vendi i tretë i takoi ekipit të Tetovës pas fitores kundër Ulqinit 4:3, pas ekzekutimit të penaltive, pasi në kohën e rregullt ndeshja përfundoi 3-3. Arbëreshët e Zarës përfunduan në vendin e pestë, ndërsa Bujanoci mbeti në pozitën e gjashtë të fundit.
“Dua t’ju falënderoj pa masë për sjelljet tuaja korrekte si dhe për kontributin që keni dhënë për këtë turnir. Falënderimi i posaçëm duhet përmendur se është pjesëmarrja e ekipit të Arbanasit, të cilët kanë kaluar mbi 1 mijë kilometra për të ardhur këtu për t’u bashkëngjitur me ne.” tha Hajro Hajdari koordinator për qytetin e Ulqinit.
Në përmbylljen solemne me pjesëmarrjen e delegacioneve nga të gjitha qyetet, u ndanë dhurata të ndërsjellata. Delegacioni nga komuna e Tetovës që i printe Bekim Memeti, kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, ndau pllaketa me logon e komunës për kryetarin e Komunës së Ulqinit Loro Nrekiq dhe të gjithë koordinatorëve të ekipeve. Ndërsa koordinatori për Tetovën, Muzafer Livoreka një pikturë me motive të Kodrës së Diellit i dha ekipit të arbëreshve të Zarës. Edicioni i 16-të i Turneut Mbarëkombëtar i futbollit për fëmijë U-15 do të mbahet në Durrës në qershor të vitit 2020. /Shaban Sinani/