Kandidati për kryetar shteti i përkrahur nga LSDM-ja dhe koalicioni, Stevo Pendarovski, të mërkurën do të takohet me qytetarët e Shtipit, ndërsa të martën mbrëmë ai mbajti tubime në disa komuna, mes të cilave në Dibër dhe Gostivar. Ndërkaq, në Shkup, BDI-ja ka promovuar konceptin e konsensualitetit.
Kandidati i koalicionit qeveritar, për kryetar shteti Stevo Pendarovski nga Gostivari deklaroi se do të jetë president për të gjithë, dhe nuk do të lejojë të flitet për të kaluarën, por për të ardhmen.
“Mjaft folëm për të kaluarën, me të vërtetë nuk kam asnjë qëllim, nëse e fitoj besimin tuaj, të flas për çfarëdoqoftë para dhjetë, pesëmbëdhjetë vitesh, ose para katër shekujsh, do të flas për atë që do të ndodhë nga data 12 maj, kur fillon mandati i presidentit të ri, në pesë vitet e ardhshme nga unë nuk do të dëgjoni përralla për të kaluarën.” -tha Stevo Pendarovski, Kandidat për President.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në kuadër të fushatës parazgjedhore për zgjedhjet presidenciale ka mbajtur takim me qytetarë në sheshin Skënderbeu në Shkup. Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti para të pranishmëve theksoi se vota për kandidatin e përbashkët është votë për ardhmërinë.
Siç ka theksuar Pendarovski nga Gostivari, Maqedonia e Veriut gjendet para vendimit nëse do të vazhdojë rrugën e progresit apo do t`i kthehet të kaluarës së errët. /Verica Dimitrijevska/