Himni nuk është çështje e bisedimeve me Greqinë kurse në vendin tonë edhe mëtej do të përdoret. Kështu është përgjigjur kandidati presidencial i koalicionit qeverisës Stevo Pendarovski, në pyetjen përse ishte anashkaluar himni gjatë vizitës zyrtare të Kryeministrit grek Aleksis Cipras në Shkup. Pendarovski në takim me banorët e lagjes së Shkupit Aerodrom ka theksuar se “kjo gjeneratë e politikanëve grek, të udhëhequr nga Kryeministri kanë bërë punë të mëdha” rreth arritjes së Marrëveshjes së Prespës.
Në ditën e vizitës zyrtare të Kryeministrit grek Aleksis Cipras në Shkup, kandidati presidencial i koalicionit qeverisës, Stevo Pendarovski, në një tubim parazgjedhor në lagjen e Shkupit Aerodrom, ishte pyetur rreth mosintonimit të himnit të Maqedonisë.
“Himni ynë nuk është çështje e Marrëveshjes së Prespës, përkundrazi ka një mirëkuptim të përgjithshëm. Mendoj se kjo është thënë publikisht jo vetëm këtu, por edhe në Greqi, se sikurse dy qytetet e Maqedonisë që mbajnë prefikset maqedonase, Brodi dhe Kamenica, ashtu edhe himni ynë nuk do të preket. Do të thotë se ata e dinë se është himni ynë dhe se ne edhe mëtej do të vazhdojmë ta këndojmë ashtu siç e dimë” –tha Stevo Pendarovski-Kandidat Presidencial.
Në pyetjen për refugjatët e luftës qytetare në Greqi dhe qëndrimin e autoriteteve greke, Pendarovski ka theksuar se, deri më tani, askush nuk ka bërë aq sa garnitura e tashme e politikanëve në Athinë, të cilët u ballafaquan me probleme të mëdha, por edhe me lidership në Shkup, që sipas tij, bënë një kërcim të madh me Marrëveshjen e Prespës. Pendarovski gjatë fushatës ka theksuar se qëndron pas konceptit qeveritar “një shoqëri për të gjithë’ si zgjidhje e vetme për një vend në fqinjësinë e trazuar të Ballkanit. Angazhimet e kundërshtarëve politik i ka komentuar, siç tha, si kthim prapa në vitet e errëta të gruevizmit. /Biljana Georgievska/