close

PENDAROVSKI: MAQEDONIA E VERIUT NUK KA PLAN “B”

Plani ynë “B”  është fillimi i negociatave me BE-në deri në fund të vitit – ka theksuar Presidenti i vendit Stevo Pendarovski për gazetën prestigjioze gjermane “Shpigel”.

Edicioni online I gazetës prestigjioze gjermane “Shpigel” sjell një intervistë me presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, pak para vizitës së tij në Gjermani, në të cilën ai shprehet me optimizëm të theksuar rreth marrjes së datës për fillim të negociatave për anëtarësim në BE.

“Besojmë se nuk ekzistojnë vërejtje më të thella kundër fillimit të negociatave, por vetëm prolongime teknike. Gjermania është partneri ynë më I rëndësishëm, ajo ishte një nga aktorët në Marrëveshjen e Prespës dhe në Berlin e njohin shumë mirë situatën politike në vendin tonë”, deklaron Pendarovski për “Shpigel”.

“Shpigel” shkruan se zyrtarisht aryeja e vërtetë janë “prolongimet teknike”, Bundestagu e anuloi seancën dhe votimin për këtë çështje, por për qeverinë gjermane nuk ka dyshime se Maqedonia do ti fillojë negociatat këtë vit. Por, te shumë anëtarë të Parlamentit është e qartë se ka rezerva të mëdha, edhe pse askush nuk do të shprehet publikisht dhe në mënyrë eksplicite. “Shpigel” vazhdon:

“Nuk ka të bëjë aq shumë me sundimin e së drejtës dhe problemet me korrupsionin në Maqedoni, sa ka lidhje me situatën politike kaotike në Shqipëri, ku konflikti midis qeverisë socialiste dhe opozitës u përshkallëzua në dhunë. Edhe pse faktikisht është pothuajse e paargumentuar, Shqipëria dhe Maqedonia duhet të marrin datë të përbashkët për fillim të negociatave.”

Pendarovski për “Shpigel” theksoi se në të kaluarën rreth çështjeve integruese vazhdimisht ka pasur negociata të veçuara për vende të ndryshme, por ai personalisht nuk ka qenë për këtë. Kjo, sipas gazetës, është përgjigje diplomatike për një çështje të ndjeshme politike, sepse në vend jetojnë mbi 25% shqiptarë, ndërsa vendi fqinj Shqipëria ndjehet si mbrojtësi i tyre. /Klan Maqedoni/

Nëse je pranë një vendi ngjarje, ke fotogorafi apo video, atëherë ti raporto. Na shkruaj në klanmacedonia@gmail.com
TI RAPORTON!