close

PENDAROVSKI U KËRKOI FALJE BIZNESMENËVE

“Politika ose e pengonte ose e mbante biznesin nën kontrollin e saj”


Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski u kërkoi falje biznesmenëve në vend, në emër të gjeneratave të mëparshme të politikanëve, të cilët deri më tash nuk krijuan kushte lehtësimi për punë. “Politika, me ndarjet që shkaktoi, ose e pengonte biznesin ose e mbante nën kontroll”- theksoi Pendarovski në takimin e sotëm me anëtarët e Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë. Afaristët kërkojnë angazhim nga ana e tij që përfunimisht të funksionojë sistemi juridik në Maqedoni.

Shqetësimi kryesor i biznesmenëve në biznesin privat në vend lidhet me sundimin e pamjaftueshëm të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, për çka tash kërkojnë ndihmë nga presidenti i ri i shtetit. Për kushte normale për punë presin që Stevo Pendarovski të angazhohet në zvogëlimin e ndarjeve në bazë politike.

“Për ne është shumë e rëndësishme të kemi stabilitet, qetësi, kushte të mira, që të mundemi jo vetëm të punojmë, por edhe të jetojmë në Maqedoni, këtë e vërejmë nga aktivitetet e presidentit, shpresojmë të vazhdojë në këtë drejtim. Që të zvogëlohet polarizimi në shoqëri, ai të jetë ura që do t’i vendosë në tavolinë dhe do të përpiqet që me ndërmjetësimin e tij të arrihet koncesus politik. Që të mundemi përfundimisht t’i përkushtohemi zhvillimit ekonomik të vendit, dhe të mos jemi shumë të fokusuar në çështjet politike.”-tha Daniella Arsovska, Lidhja e Odave Ekonomike e Maqedonisë.

Kjo shkaktoi reagim të pazakontë nga ana e Pendarovskit.

“Në qoftë se kam mundësi të kërkoj falje në emër të të gjitha gjeneratave të mëparshme të politikanëve, të cilët nuk e kanë lehtësuar jetën dhe biznesin, që të gjithë ne mëtutje ta kemi më lehtë – po kërkoj falje, së paku në emrin tim personal. Mendoj se në 30 vitet e kaluara si shtet i pavarur, politika ka bërë gjithçka dhe përmes këtij polarizimi që e përmendët, por edhe në shumë mënyra tjera, e ka penguar biznesin, ose që është më tragjikja e ka vënë në kontrollin e saj. Biznesi me menaxhim politik ka efekt vetëm për ata që e menaxhojnë, jo edhe për popullin dhe për qytetarët.” –deklaroi Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski.

Në takimin e sotëm me anëtarët e Lidhjes së Odave ekonomike të Maqedonisë, organizatë e cila tani bashkon rreth 30 oda më të vogla ekonomike, presidenti edhe një herë apeloi deri te të gjitha institucionet ta ndriçojnë deri në fund aferën e fundit kriminele politike dhe të biznesit, e quajtur “Reket”.

“Insistoj që institucionet shtetërore në rastin “Reket” ta shpiejnë punën deri në fund sa më shpejt, vërtetë deri në fund. Që të mos lihet hapësirë as për dyshimin më të vogël se dikush e mbron dikë, ose se sërish riciklohen praktika të këqia nga e kaluara, kur faktorë të caktuar politikë e mbronin biznesin.”- shprehet Presidenti i RMV-së Stevo Pendarovski.

Biznesmenët kërkojnë nga presidenti që të angazhohet për diplomaci ekonomike më me ndikim, përkatësisht për dërgimin e njerëzve profesionistë në ambasadat dhe konsulatat e Maqedonisë, të cilët do t’i avancojnë në mënyrë thelbësore marrëdhëniet e biznesit të kompanive vendase me tregun botëror. Angazhime të ngjajshme ka pasur edhe në të kaluarën, por rezultati, sipas Arsovskës, është prania në tregjet botërore e vetëm 5% të kompanive vendase. Një nga temat kryesore për kritika të përditshme nga ana e opozitës në adresë të Qeverisë është pikërisht ekonomia, për të cilën VMRO-DPMNE thotë se është në kolaps. /Biljana Georgievska/