Vlerësim pozitiv për fushatën e deritanishme zgjedhore
Ditën e fundit të fushatës zgjedhore para votimit të së dielës, kandidati për kryetar shteti nga koalicioni qeveritar LSDM – BDI, Stevo Pendarovski deklaroi se këto zgjedhje janë përcaktim për integrimin euro-atlantik ose për kthim prapa në izolim. Votën për kundërshtaren e tij politike, Gordana Siljanovskën, ai e vlerësoi si votë për ish- kryeministrin në arrati Nikolla Gruevski.
Në finalen e fushatës së tij zgjedhore, Pendarovski nga shtabi i tij partiak sot deklaroi se vota për kandidaten për kryetare të vendit nga rradhët e opozitës është votë për ish kryeministrin Nikolla Gruevski, tani azilkërkues në Hungari:
“Mund të votoni për Siljanovskën, dhe me këtë të votoni për Gruevskin dhe Mickovskin, me këtë votoni për kthim pas, për ndarje të reja, bllokada dhe izolim. Ose të votoni për mua dhe t’i mbështesni politikat për bashkim, paqe, stabilitet dhe zhvillim të sigurt ekonomik. Kjo zgjedhje është shumë e rëndësishme.”- tha Stevo Pendarovski, Kandidat për President.
Në pyetjen si e vlerëson fushatën e deritanishme, profesori Pendarovski deklaroi:
“Mendoj se megjithatë mbetëm në kuadrin e një ambienti demokratik dhe këtu sigurisht mendoj për sjelljen e tre kandidatëve. Shpresoj se në rrethin e parë zgjedhor të tre kemi dhënë kontribut për ngritjen e kulturës politike dhe kulturës së komunikimit në mes kandidatëve zyrtarë për këtë post të lartë”.
Pendarovski karvanin trijavësh zgjedhor sonte e përfundon në Ohër. /Biljana Georgievska/